KQZ shtyn mbledhjen për t'iu shmangur medieve
Sot, KQZ kishte thirrur mbledhje të anëtarëve të saj për orën 11:00, por sërish duke mos i njoftuar mediet për këtë. Duke e parë prezencën e medieve kryetarja e KQZ-së Valdete Daka e shtyri mbledhjen fillimisht për orën 12:00 e pastaj e anuloi fare, për ta ricaktuar këtë pasdite për orën 16:15.

Duke e pare tendencën e saj që mbledhja e KQZ-së të mbahet fshehur nga opinioni, përfaqësuesi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në KQZ, Adnan Rrustemi dha deklaratë para medieve.

"Fillimisht më duhet ta bëj të njohur për publikun se kjo mbledhje është thirrur jashtë praktikës dhe procedurave, duke dërguar njoftimin dhe rendin e ditës mbrëmë rreth orës 23, si mbledhje urgjente dhe e jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës, një pikë komplet teknike dhe aspak e jashtëzakonshme, që ka të bëj me kërkesën e Ministrisë së Diasporës për zgjatjen e periudhës së regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Një kërkesë të tillë KQZ-ja e ka pranuar me datë 20.08.2013, ndërsa javën e kaluar është shqyrtuar në këshillin e procedurave që përbëhet nga anëtarë të KQZ-së. Këshilli i ka rekomanduar KQZ-së që të refuzojë këtë kërkesë për arsye që nuk ka mundësi objektive të zgjatet afati, ngase është e përcaktuar me rregulla të KQZ-së dhe bie ndesh me planin operacional të zgjedhjeve, dhe me periudhat zgjedhore, që pritet të fillojnë e që rezultojnë nga kjo fazë. Por, kjo mbledhje nuk e kishte për qëllim zgjatjen e periudhës së regjistrimit të votuesve në diasporë, por shfrytëzimin e kësaj kërkese për t’ia zgjatur periudhën dhe për t’i rritur mundësitë OSBE-së që të realizojë operacione zgjedhore që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve në Serbi dhe Mal të Zi.

Shtyrja e mbledhjes po e dëmton procesin zgjedhor dhe çështjet e përgatitjeve në përgjithësi, ngase sot kemi përgatitur edhe ngritjen e dy çështjeve shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor: e para ka te bëj me listën e votuesve në komunën e Mitrovicës, respektivisht të mospërfshirjes së shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga pjesa veriore e qytetit në pjesën jugore, e që për zgjedhje dëshirojnë dhe kanë të drejtë të votojnë dhe të kandidohen atje ku i kanë edhe vendbanimet e tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dashur t’i shtrojë për diskutim dhe t’i paraqesë rekomandimet lidhur me tejkalimin e kësaj problematike, duke ua mundësuar që këta votues të përcaktohen se a dëshirojnë të votojnë në pjesën jugore apo veriore te Mitrovicës"- shkruan Rrustemi. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2013, ora 18:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori