Teste serologjike në spitalin Amerikan, mësoni në vetëm dy orë nëse jeni infektuar (VIDEO)

Ministria e Shëdetësisë njoftoi pak ditë më parë se testi serologjik, apo thënë ndryshe tamponi ndaj koronavirusit mund të kryhet dhe në spitale private.

Që nga e hëna analizën e gjakut që tregon nëse keni antitrupa të koronavirusit mund ta kryeni në Spitalin Amerikan.

Shefja e rrjetit të laboratorëve të këtij spitali Albana Daka tregon se testet që do të përdoren kanë ndjeshmëri të lartë ndërsa rezultatin mund ta merrni për rreth 2 orë.

“Do të fillojmë testet serologjike të kompanisë Roche e cila është kompania me sensibilitetin me të lartë që është testuar në gjithë këto muaj. Është parë që sensibiliteti i metodës së antikorpeve të kompanisë Roche është shumë afër rezultateve molekulare. Një rezultat serologjik dhe kur aparati është i besueshëm brenda dy orësh është gati”, tregon mjekja.

Ndërkohë mjekja Daka tregon se Spitali Amerikan do të jetë gati brenda javës së ardhshme të ofrojë për qytetarët edhe testin molekular apo siç njihet ndryshe testi i tamponit i cili tregon a jeni me koronavirus.

“Ne si laborator i kemi gati me të gjitha kushtet, me infrastrukturën pra me kushtet e biosigurisë dy dhe tre, me stafin e dedikuar për 24 orë. Padyshim të gjitha këto do t’i vëmë në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë që të hënën dhe mendojmë që nëse testet do të bëhen të mundura që të vijnë javën tjetër (testet molekulare) ne fillojmë menjëherë nga puna dhe kemi staf 24 orë”, shprehet ajo.

Por sa do të kushtojnë analizat për Covid-19?

“Kemi vendosur një çmim që është 4 mijë lekë të reja për të dy nivelet e anitkorpeve IgM dhe IgG të serologjisë, ndërsa ende nuk kemi një çmim të saktë për testin molekular, pasi mendohet se edhe distributorët tani mund të kenë çmime më të lira se në fillim të pandemisë”, u shpreh ajo.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka detajuar kushtet e vendimit për lejimin e kryerjes së tamponëve dhe në laboratorët jo publik. Ndërkohë ka sqaruar se analizat për COVID-19 në strukturat private mund të kryhen për arsye pune apo udhëtimi.

Në rast se një person del pozitiv diagnoza do të konfirmohet nga Instituti i Shëndetit Publik ku laboratorët jo publik janë të detyruar të raportojnë çdo 24 orë./abcnews.al/


Shtuar 24.07.2020 17:17