KQZ kërkon lista të mbyllura
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka rekomanduar Komisionit Parlamentar për Ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve, që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të aplikohen listat e mbyllura. Këtë lajm e ka konfirmuar kryetarja e KQZ-së, Vadete Daka.

“Qëndrimi zyrtar i KQZ-së është që Kosova të ketë lista të mbyllura zgjedhore. Kemi menduar se thjeshtëzimi i sistemit zgjedhor, që del si rekomandim nga Raporti i Progresit, dhe mbyllja e listave, për KQZ-në do të ishin shumë lehtë ta menaxhojmë situatën sa i përket numërimit të votave dhe shpalljes sa më të shpejtë të rezultateve zgjedhore. Këtë qëndrim KQZ-ja e ka mbështetur nga përvoja që ka fituar gjatë viteve të kaluara”, ka thënë Daka në një intervistë për Epoka e Re.

Gjithashtu, ajo ka bërë me dije se KQZ-ja ka rekomanduar që Republika e Kosovës të ketë më shumë zona zgjedhore.

“KQZ-a ka rekomanduar të kemi më shumë zona zgjedhore, në mënyrë që në Kuvendin e Kosovës të kemi një përfaqësim të barabartë të deputetëve ku ata vijnë”.

Sa i përket funksionimit dhje përbërjes së KQZ-së, Daka ka treguar se i kanë rekomanduar Komisionit Parlamentar për Ndryshimit e Ligjit të Zgjedhjeve, që përbërja e KQZ-së mbetet e njëjtë, pavarësisht rekomandimeve të ndryshme të përfaqësuesve të partive politike, që janë të përfaqësuara në Grupin Punues për Reformë Zgjedhore.

Daka po ashtu ka kërkuar të eliminohet votimi me kusht, “për shkak të manipulimit dhe vonesave të shpalljes së rezultateve”, e po ashtu që bashkatdhetarët të mos kenë të drejtë të votojnë nga larg, pos nëse jenë prezent në Kosovë gjatë procesit të votimit.
Shtuar më 05/11/2011, ora 10:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori