KQZ-ja s'ka informacion për fletë-aplikacionet në Serbi
Ka nisur shpërndarja e fletë-aplikacioneve për regjistrimin e votuesve të mundshëm në Serbi nga përfaqësuesit e OSBE-së. Këta të fundit po qëndrojnë në Serbi prej datës 26 gusht.

“OSBE ka ofruar një mekanizëm lehtësues për të cilin palët janë dakorduar. Ai përfshin krijimin e një qendre të mbledhjes dhe të shpërndarjes në Nish dhe në Podgoricë, si dhe formimin e nëntë ekipeve mobile të cilat do t’u ofrojnë ndihmë personave të zhvendosur. Ekipet tona janë dërguar me 26 gusht”, është thënë në përgjigjen e OSBE-së, të pyetur se kur ka shkuar stafi i OSBE-së në Serbi për shpërndarjen e flet-aplikacioneve.

Ndërsa KQZ-ja thekson se nuk janë informuar zyrtarisht nga OSBE-eja, por janë në dijeni të shpërndarjes së fletë-aplikacioneve, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sipas anëtarit të KQZ-së Florian Dushi nga LDK-ja, presin që në ditët në vijim të njoftohen zyrtarisht nga OSBE-ja.

“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar. Ne presim që në ditët në vijim të kemi informata, nëse jo për numrin apo statistikat e këtij procesi, atëherë së paku të njoftohemi mbi mbarëvajtjen e këtij procesi. Ndërkohë, që në përmbyllje të këtij procesi ne sigurisht që do të kemi numrin e saktë të aplikantve që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues përkatësisht për të votuar në Serbi”, tha Dushi.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së Ilir Gashi nga PDK-ja thekosn se deri më tani nuk kanë informacion rreth punës së shpërndarjes së fletë-aplikacioneve në Serbi. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2013, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori