KQZ-ja nuk mori vendim kushtetues
Juristët vlerësojnë se vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor për heqjen e logos së shtetit të Kosovës nga fletëvotimet është një vendim politik dhe jo kushtetues.

Vendimi theksojnë ata, nuk është mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por në aspekte politike të marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

Profesori Riza Smaka ka thënë se zgjedhjet janë çështje shtetërore dhe vendimi i KQZ-së nuk përputhet me Kushtetutën, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Në parim nuk është dhe as që mund të jetë në përputhje me Kushtetutën sepse zgjedhjet janë çështje shtetërore, domethënë nacionale që quhen me terminologjinë euroatlantike. KQZ-ja i organizon dhe i ndërmerr të gjitha masat për mbarëvajtjen e tyre, por nuk është organi që i cakton zgjedhjet e tjera e tjera”, ka vlerësuar Smaka.

Ndërkohë, Dren Doli nga Grupi për Studime Politike e Juridike nënvizoi se vendimi i KQZ-së mund të jetë një precedent shumë i rrezikshëm për Kosovën edhe pas zgjedhjeve.

“Është një precedent shumë i rrezikshëm i cili mund të përdorët më pastaj nga serbët e veriut për të gjitha rastet e tjera kur logoja e Republikës së Kosovës, apo institucioneve të Republikës së Kosovës kërkohet të vendoset në ndërtesat, dokumentet tjera, aktet nënligjore, udhëzimet që institucionet komunale apo institucionet e Kosovës që veprojnë në veri do të duhej t’i aplikonin sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Doli. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2013, ora 16:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori