Nis fushata zgjedhore në Kosovë
Pëlqej
Nis sot zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në garën për të zgjedhur kryetarët janë 224 kandidatë, kurse për asambletë komunale garojnë 7,740 kandidatë.

Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 103 subjekte politike. Prej tyre, 50 janë shqiptare, 31 janë serbe, 3 turke, 9 boshnjake, 3 malazeze, 1 goran, 2 nga komuniteti ashkali, 2 nga komuniteti rom, 1 parti politike egjiptase dhe 1 kroate. E veçanta e zgjedhjeve të sivjetme, sipas KQZ-së, është se ato do të zhvillohen edhe në pjese veriore të Kosovës. “Komisioni Qendror i zgjedhjeve paralelisht është duke i bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shkruan radio “Evropa e Lirë”.

Në veri të Kosovës, serbët lokalë janë ende të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, ndërsa Beogradi zyrtar i ka ftuar ata që marrin pjesë në këtë proces. Edhe drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës tashmë ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore, që të nisin përgatitjet sa i takon procesit zgjedhor.
Shtuar më 03/10/2013, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori