Presidenti i UEFA-s letër në drejtim të Dukës: Organizim i përsosur, kjo ishte prova e fundit për Tiranën

25 maj do të mbahet mend gjatë nga të gjithë shqiptarët por edhe nga tifozët e ekipit të Romës.

Shqiptarët do ta mbajnë mend këtë datë pasi për herë të parë në histori, UEFA aplikon mundësinë që një finale të një kompeticioni evropian të mbahet në Tiranë. Ky ka qenë një privilegj shumë i madh për shtetin tonë, ku e gjithë bota e sportit i kishin sytë nga ne.

Finalja e Conference League midis Roma-Feyenoord, u luajt më datë 25 maj, ora 21:00 dhe stadiumi ishte sigurisht, “Air Albania”. Emra të njohur mbërritën në Tiranë ku të cilët prekën dhe ambientet e brendshme të stadiumit si Totti, Mourinho, Abraham, Zaniolo, Ceferin etj.

Për Romën do të mbahet mend kjo datë pasi ata fituan trofeun e pare evropian të organizuar nga UEFA, por gjithashtu ekipi i parë që fiton trofeun e Conference League.

Organizimi i këtij eventi madhështor përfundoi me sukses. Çdo gjë shkoi me sukses dhe sipas planit, duke marrë vlerësimet më të larta edhe nga vetë qeveria e futbollit evropian.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin i ka dërguar një letër falënderimi Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ku i shpreh të gjitha urimet dhe falënderimet për organizimin me sukses të këtij eventi./ h.ll/albeu.com

Më poshtë, edhe letra e plotë e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin drejtuar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

I dashur President, i dashur Armand,

Faleminderit për pritjen e finales së edicionit të parë të UEFA Conference League në Tiranë. Dua të përgëzoj Federatën Shqiptare të Futbollit dhe juve për organizimin me sukses të një eventi kaq prestigjioz dhe sfidues. Nuk do t’i harroj kurrë emocionet e tifozëve kur në fushën e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë zbritën lojtarët e Romës dhe Feyenoord. Një valë kaq unike, elektrizuese e energjisë pozitive që u dha zemër të gjithëve, edhe atyre me më përvojë.

Kjo ishte prova e fundit që Tirana ishte zgjedhja e duhur për këtë rast historik. Një qytet tërheqës kulturalisht, modern, shumë mikpritës për gjithkënd ishte vendi i përsosur për finalen inaguruese të një kompeticioni ndërkombëtar të shumëpritur.

Më qartë, ju falënderoj i dashur Armand për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në muajt përpara turneut. Uroj që ju dhe Federata Shqiptare e Futbollit të ruani të njëjtën energji dhe pasion në të ardhmen. Shpresoj që kjo finale do të jetë një ngjarje historike për Shqipërinë dhe rritjen e futbollit në vendin tuaj.

Sinqerisht,

Aleksander Ceferin