Kosovë-Zvicër, marrëveshje për personat e dënuar
Hajredin Kuçi
Ministria kosovare e Drejtësisë dhe Ambasada e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë nënshkruan sot marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar.

Kjo marrëveshje, e cila i takon fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale, u nënshkrua nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Ambasadorja zvicerane në Kosovë, Krystyna Marty.

Ministri Kuçi tha se "Kosova dhe Zvicra kanë marrëdhënie të shkëlqyera", duke shtuar se kanë mundësi të zhvillimit të mëtetshëm të bashkëpunimit në aspektin ekonomik, politik dhe të tjera.

Duke e vlerësuar këtë marrëveshje si të rëndësishme për të dy vendet sa i përket bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale, Kuçi tha se "ne kemi një numër të madh të njerëzve që qarkullojnë në të dy shtetet, kemi marrëdhënie të mira dhe kemi arritur në përfundim që duhet të bashkëpunojmë në këtë fushë, që ka të bëjë me transferimin e personave të dënuar".

Ambasadorja Marty tha se "Zvicra dhe Kosova tashmë kanë një bashkëpunim të suksesshëm në fushën e drejtësisë dhe kjo marrëveshje që u nënshkrua sot mundëson që personat e dënuar në Zvicër, të kryejnë dënimin në vendin e tyre".

Sipas saj, kjo marrëveshje është shembull për bashkëpunim edhe në fusha të tjera. /albeu.com/
Shtuar më 14/05/2012, ora 16:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori