Kosovë-Slloveni vazhdojnë bashkëpunimin (FOTO-LAJM)

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Sllovenisë, Miljan Majhen, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.

Presidentja theksoi se Sllovenia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndër përkrahësit më të mëdhenj të vendit tonë me dekada të tëra. Ajo e çmoi dhe e vlerësoi lart bashkëpunimin dhe marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Slloveni dhe theksoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellim të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interesit të të dyja vendeve, të rajonit por edhe më gjerë.

Presidentja Jahjaga e uroi ambasadorin Miljan Majhen për detyrën e re dhe i ofroi mbështetjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë misionit të tij në Kosovë.

Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, Miljan Majhen shprehu përkushtimin e institucioneve shtetërore sllovene, për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për të thelluar e avancuar marrëdhëniet edhe ashtu shumë të mira me institucionet e vendit tonë. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2013, ora 14:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori