Kosovë-Slloveni marrëveshje bashkëpunimi ekonomik
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me homologun e tij slloven, Karl Erjavec, kanë nënshkruar një marrëveshje ndërshtetërore për zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik në të gjitha fushat që konsiderohen të jenë me interes të përbashkët.

Tregu i Kosovës nuk është një treg i panjohur për bizneset sllovene dhe shtrirja e bashkëpunimit me këtë marrëveshje mundëson lehtësimin dhe mbështetjen e shkëmbimit të kontratave mes operatorëve ekonomik. Në marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi dhe Erjavec parashikohet lehtësimi i shkëmbimit të informacioneve ekonomike dhe asistimi shtetëror në organizimin e panaireve, ekspozitave dhe simpoziume.

Gjithashtu pjesë e marrëveshjes është dhe promovimi i tregtisë në mallra e shërbime dhe bashkëpunimin afatgjatë në industri, infrastrukturë, telekomunikacion, transport, energji, miniera, bujqësi, pylltari, në mbrojtjen e mjedisit dhe në turizëm, thuhet në njoftimin e PMJ .

Ndërkohë pritet që midis dy vendeve të mund të themelojnë edhe Komisionin e Përbashkët për t’u marrë drejtpërdrejtë me fushat që mbulon marrëveshja, si në identifikimin e prioriteteve dhe problemeve që pengojnë tregtinë dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik, ashtu edhe në propozimin e masave për zgjidhjen e tyre. /albeu.com/
Shtuar më 10/04/2015, ora 15:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori