Kosovari i sëmurë rëndë dërgohet në burg, shpërthejnë në lot fëmijët e tij (VIDEO)
Gjykata e Prishtinës e kthen në burg të dënuarin me sëmundje të rëndë. Sot në mëngjes Policia e Kosovës të shtrirë në lese e kanë bartur në paraburgim Driton Hajdari i cili nuk mund as edhe të ecën pa ndihmën e dikujt.

Driton Hajdari vuan nga sëmundja e sklerozës multiple që e ka lënë pothuajse të paaftë për t’u kujdesur për veten.

RTK ka siguruar video nga aksioni i Policisë deri sa mezi e nxorën nga shtëpia e tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Në video shihen edhe pamje të familjes së tij të shqetësuar shumë. Ai është i dënuar në rastin “Bllaca” dhe kur e kuptoi për sëmundjen, ishte duke e vuajtur dënimin. E kështu, ai thotë që nuk mori as trajtimin e duhur. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, me kërkesë nga ai, dënimi për të, u pezullua nga Gjykata Themelore për afër një vit e gjysmë.

Tashmë për të kujdeset bashkëshortja e tij, Teuta. Me gjithë gjendjen e rëndë të Driton Hajdarit, më katër korrik atij iu refuzua kërkesa për vazhdim të pezullimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pavarësisht kësaj, ai thotë që do të pranojë çfarëdo vendimi.

Ndërkaq, Gjykata Themelore ka dhënë disa arsye se pse e ka refuzuar kërkesën për pezullim të dënimit ndaj Hajdarit. Në letër thuhet që “pezullimi i ekzekutimit nuk duhet të zgjasë më gjatë se sa periudha minimale që është e nevojshme për përfundimin e trajtimit mjekësor”.

Mirëpo, kohë më parë, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kishte konstatuar se për të nuk mund të kujdeset personeli i burgut. Këtë e kanë konfirmuar përsëri nëpërmjet një e-maili. “Rasti është me Skleroze multiplekse në shkallë të progreduar. Ky person nuk mund të lëvizë dhe të kryejë nevojat fiziologjike dhe të ushqehet pa ndihmë, andaj apriori nuk është kompatibil për burg”, thuhet në përgjigjen e BShB-së. Për refuzimin e kërkesës së tij për pezullim të dënimit, Driton Hajdari tashmë është ankuar në Gjykatën e Apelit.
Shtuar më 20/07/2019, ora 13:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori