Putin-Gorbachev, 2 vizionet e ndryshme mbi madhështinë e Rusisë

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Donald Trump premtoi ta bënte sërish të madhe Amerikën. Slogani i preferuar i Xi Jinping shpall “ripërtëritjen e madhe” të popullit kinez. Vladimir Putin po nxitet nga një dëshirë e ngjashme dhe e dëshpëruar për të rikthyer madhështinë e Rusisë, Por si mund të përkufizohet një vend i madh?

Putin dhe Mikhail Gorbachev, që vdiq javën e kaluar, kishin ide të ndryshme për këtë gjë. Për Putinin, madhështia kombëtare përcaktohet nga territori, fuqia ushtarake dhe aftësia për të tmerruar apo nënshtruar fqinjët. Udhëheqësi rus beson se është e drejta e vendit të tij të jetë një nga fuqitë e mëdha botërore.

Rusia mendon ai u “grabit” kur Ukraina u bë e pavarur, ndaj çelësi për rindërtimin e fuqisë dhe madhështisë kombëtare është rikthimi i territorit të humbur. Vendimi tragjik për të pushtuar Ukrainën ishte një kulmim i këtij obsesioni. Ndërkohë për Gorbachev, madhështia kombëtare përkufizohej më shumë nga dinjiteti i qytetarëve të zakonshëm.

Në një intervistë të vitit 2001 dhënë për historianin Daniel Yergin, ai vuri në dukje paaftësinë e Bashkimit Sovjetik për t’u siguruar qytetarëve të tij nevojat e përditshme:“Imagjinoni një vend që çon satelitë dhe njerëz në hapësirë, që lëshon Sputnik, që krijon një sistem të fuqishëm mbrojtjeje…Por që nuk ka as pastë dhëmbësh, as pluhur larës, dhe që nuk përmbush dot nevojat më themelore të jetesës së një qytetari. Ishte e pabesueshme dhe poshtëruese të punoje në një qeveri të tillë.”

Fakti që rusët e zakonshëm nuk kanë nevojë të durojnë sot privime të tilla, i detyrohet shumë reformave ekonomike të Gorbachev. Ata që e fajësojnë atë për shkatërrimin e një ekonomie sovjetike që ishte ende formalisht në punë, duhet që ta mbajnë mend mirë këtë, raporton abcnews.al.

Ideja e ish-udhëheqësit sovjetik për dinjitetin njerëzor shtrihej edhe tek liria e fjalës. Ishte gjithashtu “e pabesueshme dhe poshtëruese” që nën sistemin sovjetik, njerëzit e arsimuar ishin të detyruar të jetonin në një botë gënjeshtrash zyrtare, sloganesh dhe censurimi.

Gorbachev e ndryshoi këtë gjë duke e çliruar shtypin nga censura dhe stimuluar industritë krijuese. Ai liroi nga burgu disidentët, dhe lejoi rifillimin e kërkimeve të duhura historike. Putini po e rikthen Rusinë në represionin e stilit sovjetik, teksa po e shtyp median e pavarur, po burgos opozitën dhe e ka bërë një vepër penale deklaratën se Rusia është në luftë.

Më e rëndësishmja:ideja e Gorbachev për dinjitetin njerëzor, shtrihej edhe përtej kufijve të Rusisë. Vendimi më i rëndësishëm dhe parimor që ai mori ishte mos-dërgimi i tankeve sovjetike në Poloni, Hungari apo Gjermaninë Lindore në vitin 1989, kur atje shpërthyen lëvizjet demokratike.

Për një periudhë të shkurtër, një udhëheqës rus u bë një simbol ndërkombëtar i lirisë politike. Kur Gorbachev vizitoi Berlinin Lindor në tetorin e vitit 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit, turmat brohorisnin “Gorby na ndihmo!”. Kur ai vizitoi Pekinin në maj të po atij viti, studentët që protestonin në Sheshin Tiananmen e përshëndetën atë si një hero, si një lider që kishte treguar se autokracitë mund të reformoheshin dhe se nuk mund të vriteshin demonstruesit në rrugë.

Ajo ëndërr përfundoi me masakrën e Sheshit Tiananmen një muaj më vonë. Është e vërtetë se përgjigjet e Gorbachev nuk ishin gjithmonë fisnike dhe jo të dhunshme. Ai mbahet mend me hidhërim në shtetet baltike për dërgimin për një kohë të shkurtër të trupave sovjetike në vitin 1991, në një përpjekje të dështuar për të shtypur lëvizjet e tyre drejt pavarësisë.

Por siç do të vinin në dukje të parët Putinistët, Gorbachev i mungonte mizoria e nevojshme për të vazhduar luftën dhe për të vrarë derisa të rikthehej pushteti i Moskës. Putini është i vendosur të mos e përsërisë atë “gabim”, dhe për pasojë Ukraina ka paguar një kosto të tmerrshme njerëzore.

Kur të shfaqet historia e vërtetë e asaj që ndodhi gjatë rrethimit rus të Mariupolit, mund të zbulohet një krim lufte me përmasa historike. Me mijëra civilë të vrarë dhe të varrosur në varre masive. Për Putinin, masakra si ato në Mariupol janë thjesht një detaj pa shumë rëndësi, kur krahasohen me misionin e tij historik për të rivendosur madhështinë e Rusisë, raporton abcnews.al.

Pritshmëritë e tij të hershme për fitoren përballë Ukrainës brenda disa ditësh janë rrëzuar. Por ai e ka shmangur këtë duke e krahasuar veten me Pjetrin e Madh, Lufta e Madhe Veriore e të cilit zgjati më shumë se 20 vjet, përpara se të arrihej fitorja. Është një krahasim që zbulon shumë gjëra.

Pjetri i Madh ishte një despot, i dalluar për indiferencën e tij absolute ndaj humbjes së jetës njerëzore. Qindra mijëra njerëz vdiqën gjatë ndërtimit të kryeqytetit të tij të ri, Shën Petersburg. Po ashtu, Pjetri ishte i pari që vendosi rekrutimin e detyrueshëm ushtarak për të zhvilluar luftërat e tij.

Ky është një hap, të cilin deri më tani Putini nuk ka qenë i gatshëm ta ndërmarrë. Me gjithë pretendimet e tij cariste, ai ndoshta i kupton rreziqet që vijnë nga trajtimi i qytetarëve të shekullit XX-të si bujkrobër të shekullit XVIII-të. Putin mund të besojë se fitoret në fushën e betejës dhe pushtimi territorial, janë mënyrat e vetme të vërteta për ta rivendosur madhështinë kombëtare, raporton abcnews.al.

Por duhet të ketë rëndësi edhe ajo që Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së e quan “një respekt i denjë për mendimin e njeriut”. Rusia luftarake nuk del shumë mirë në këtë pikë. Një sondazh ndërkombëtar i kryer vitin e kaluar nga Universiteti i Pensilvanisë, zbuloi se 3 vendet më të admiruara në botë ishin Kanadaja, Japonia dhe Gjermania.

Të treja vendet u vlerësuan shumë për masa të tilla si qeveria e pastër, respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale. Këto janë gjëra që kanë shumë pak vlerë në Rusinë e Putinit, por që merren seriozisht nga njerëzit dhe qeveritë që kujdesen për dinjitetin njerëzor.

Putini e sinjalizoi përbuzjen e tij për këto vlera – që i promovoi Gorbachev – kur tha se ishte shumë i zënë me punë për të marrë pjesë në funeralin e tij. Mijëra rusë që parakaluan në arkivolin e hapur të Gorbachev sinjalizuan në heshtje kundërshtimin e tyre ndaj tij.