Grenell nuk reagon për deklaratat e Kurtit për marrëveshjen e dialogut Thaçi-Vuçiç

Njohësit e rrethanave politike në vend po deklarojnë se ka përpjekje mes presidentit të Kosovës e të Serbisë që kryeministri Albin Kurti të lihet në plan të dytë në dialog.

Këtë e ka thënë të mërkurën edhe vetë kryeministri, sipas të cilit deri më tani Thaçi e Vuçiqi e kanë përgatitur marrëveshjen përfundimtare në kuadër të dialogut, porse një marrëveshje të tillë, sekrete, nuk do ta lejojë të jetësohet. Ndërkaq se si do ta ndalë Thaçin ose si do ta marrë primatin e udhëheqjes në dialog qeveria “Kurti” nuk ka shfaqur kurrfarë strategjie.

Gazeta “Zëri” ka komunikuar me zyrën e përfaqësuesit special të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në lidhje me pretendimet e kryeministrit Albin Kurtit se mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiq ka marrëveshje të gatshme.

Zëdhënësi i zyrës së Grenellit, Dick Custin, nuk ka dhënë përgjigje sa i përket kësaj pyetjeje, duke u shprehur se një gjë të tillë mund ta konfirmojnë ose ta mohojnë vetëm zyrat e presidentëve respektivë.

Ndërsa i pyetur se a ka tendenca që Kurti të largohet nga dialogu me Serbinë, si dhe a do të ishte e pranueshme për SHBA-në që Kurti ta marrë primatin e udhëheqjes së dialogut në vend të Thaçit, Custin i është referuar një deklarate të Grenellit të dhënë së fundmi, duke u shprehur se “çështjet politike do të zgjidhen nga të dyja palët – jo nga Uashingtoni”.


Shtuar 13.03.2020 14:52