Kosova synon integrimin
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me Raportuesin e Komitetit për Çështje Politike të Këshillit të Evropës mbi situatën në Kosovë, Bjorn von Sydow, theksoi se, "Kosova synon përmbushjen e të gjitha standardeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale".

"Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në gjithë rajonin janë vizion i qartë i Kosovës dhe vlerësoi se të gjitha vendet duhet të respektojnë dhe zbatojnë standardet evropiane", tha Presidentja Jahjaga.

Sipas saj, mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit duhet të zgjidhen përmes dialogut, respektimit të ndërsjellë dhe respektimit të integritetit territorial të secilit vend.
Presidentja e Kosovës, u shpreh se, "stabilizimi i gjendjes në veriun e Kosovës do të ndihmojë qytetarët e komunitetit serb dhe se barrikadat ose ndarja e Kosovës nuk janë rruga e integrimeve evropiane".

Ajo shtoi se, "Kosova si shtet qytetar dëshiron përfshirjen e të gjitha komuniteteve në ndërtimin e shoqërisë demokratike".
Raportuesi për Kosovën i Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow, shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë në të gjitha fushat e në veçanti për të drejtat të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve.

"Kosova ka një popullatë të re me potencial të madh dhe asaj i duhet zhvillim më i madh ekonomik", theksoi Sydow duke shtuar se, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm, por ka nevojë për reforma në fusha të ndryshme.
Raportuesi Bjorn von Sydow shfaqi interesim edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike të interesit të përbashkët dhe vlerësoi se të dyja palët duhet të tregojnë më shumë përkushtim për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
Shtuar më 02/11/2011, ora 14:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori