Ndërmjetësi i BE-së, Robert
Cooper, ka kaluar të martën një ditë intensive të bisedave me autoritetet
kosovare, por pa arritur ende pajtueshmëri rreth çështjes së përfaqësimit rajonal për të cilën palët po mbajnë qëndrime të kundërta tash e sa javë.
Burime të “Expressit” kanë bërë të ditur se
Cooper nuk ka sjellë ndonjë zgjidhje përfundimtare rreth kësaj çështjeje, por ka dëgjuar propozimin e palës
kosovare.
Siç mëson gazeta, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është në gjendje të pranojë një marrëveshje, në të cilën do të merret parasysh Rezoluta 1244, mendimi i GJND-së, por aty gjithsesi duhet të jetë si referencë edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.
Sipas burimeve të gazetës, përmes Deklaratës së Pavarësisë synohet të minimizohet çështja e Rezolutës 1244 për të cilën insiston
Serbia, pasi që një gjë e tillë nuk mund të bëhet me vendimin e GJND-së që është vetëm opinion këshillëdhënës, derisa rezoluta është një vendim i Këshillit të Sigurimit.
“Çdo propozim që shpjegon se
Kosova është shtet, por edhe që nuk njihet nga
Serbia, për ne është i pranueshëm”, i ka thënë gazetës “Koha Ditore” një zyrtar i lartë qeveritar.
Sipas të njëjtit burim, konsultimet e gjata me lehtësuesin
Cooper dhe ekipin e tij kanë qenë të frytshme dhe se është lëvizur përpara drejt gjetjes së formulës me të cilën do të prezantohet
Kosova, pa u penguar nga
Serbia.
Njëkohësisht, autoritetet
kosovare, sipas burimeve, një gjë të tillë janë të gatshëm ta bëjnë edhe për faktin se përmes pajtimit për të marrë pjesë në forumet rajonale, arrijnë që të sigurojnë edhe të drejtën për të nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Evropian, që nënkupton edhe marrëdhëniet kontraktuale me unionin
Shtuar më 15/02/2012,
ora 09:31