"Kosova, rrugë të gjatë deri në Këshillin e Europës"
Sekretari i Përgjithshëm i Këshilli të Europës, Thorbjorn Jagland, është shprehur se kërkesa e Prishtinës për tu anëtarësuar në këtë organizëm nuk ka arritur në Strasbourg dhe se kur të ndodhë kjo, rruga deri në anëtarësim do të jetë e gjatë.

"Nëse edhe arrin kërkesa e Prishtinës, ekziston procedura, përfshirë monitorimin dhe përmbushjen e kushteve. Do të jetë një proces i gjatë. Ekziston edhe aspekti politik. Mendoj se askush tash nuk dëshiron ta dëmtojë procesin e dialogut që po vazhdon ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe i cili lehtëson BE-në”, ka thënë Jagland për gazetën serbe "Novosti", citon "Koha.net".

Në pyetjen se sa është reale që kërkesa të merret në shqyrtim sivjet, ashtu siç ka thënë kohë më parë në bisedë me të ministri i jashtëm I Kosovës Hashim Thaçi, Jagland është përgjigjur se kjo çështje varet krejtësisht nga vendet që e përbëjnë Këshillin e Europës.

"Është fakt se dy të tretat e vendeve tona anëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ne nuk e dimë se cilat nga ato që e kanë njohur dëshirojnë që Kosova të jetë anëtare e përhershme e jona", ka thënë Jagland.

Ai ka theksuar se dialogu i Beogradit me Prishtinë është shumë i rëndësishëm. /albeu.com/
Shtuar më 29/01/2015, ora 10:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori