Kosova po mendon ndërtimin e një spitali të posaçëm për Covid-19
Rritja enormale e numrit të rasteve të reja me COVID-19, do të detyrojë Kosovën që të ndërtojë një spital që do të merret vetëm me trajtimin e pacientëve të infektuar.

Këtë e paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili shkroi në Facebook pas publikimit të rasteve të reja me COVID-19 në vendin tonë.

"Krahas masave që do t’i marrim menjëherë, jemi duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ vetëm për pacientët me COVID-19, pasi jemi të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera", ka shkruar Zemaj.

Zemaj po ashtu ka folur edhe për krahasimet e shifrave të të infektuarve të kohës aktuale, me kohën kur në pushtet ishte Vetëvendosje.

Ai tha se është ndryshe të menaxhohet pandemia në kohë të mbylljes totale, dhe në kohë të hapjes së ekonomisë.

Postimi i plotë:

Duke parë numrin në rritje të rasteve dhe mosrespektimin e masave nga qytetarët, jemi të obliguar që t’i ashpërsojmë masat!

Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me Covid-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje.

Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental.

Në vazhdimësi kam bashkëpunuar me ekspertët shëndetësorë dhe institucionet përkatëse dhe bazuar në rekomandimet e tyre, kam ndërmarrë masat për menaxhimin e pandemisë.

Por, pavarësisht masave që kemi marrë, në ditët e fundit kemi parë se ato masa nuk janë respektuar. Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoj, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve ato nuk u respektuan.

Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!

Krahas masave që do t’i marrim menjëherë, jemi duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ vetëm për pacientët me COVID-19, pasi jemi të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera.

Gjithashtu, nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren, duke rritur kështu mundësinë për zbatimin strikt të masave të caktuara.

Ndërsa nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare!.
Shtuar më 01/08/2020, ora 19:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori