Nga vrasja e vëllait tek përplasja me grupin kriminal, kush është biznesmeni me 3 emra që u vra në Fier

Mbrëmjen e djeshme në Fier mbeti i vrarë biznesmeni Demir (Dem ose Agim) Backa. Ngjarja e rëndë ndodhi në dalje të një qendre tregtare ku persona të paidentifikuar zbrazën armën ndaj tij.

Kush është Demir Backa?

Backa me origjinë nga Kosova e banim të hershëm në Fier janë mjaft të fuqishëm ekonomikisht në këtë qytet, të konsideruara ndër tre familjet më të pasura. Një vit më parë ka ndodhur një sherr me pasoja mes anëtarëve të këtij fisi dhe disa personave nga Tirana, për shkak se njëri nga këta të fundit kishte ngacmuar një mbesë të Backajve.

Familjarë shumë të afërt të 57 vjeçarit janë njohur si anëtar të bandave të 1997 në Fier ku ka pasur edhe viktima në radhët e tyre, përfshirë vëllain e Demirit. Demir Baçka njihej në Fier gjerësisht për shkak të historive nga e kaluara por edhe bizneseve të tij të cilat shtriheshin deri në zonat bregdetare në jug të vendit.

Demir Baçka është vëllai i një prej 24 viktimave të masakrës së njohur të Levanit ndodhur në vitin 1997. Medi Aziz Backa njohur nga rrethi i tij si Buç Backa humbi jetën në përballje të armatosur për disa orë me radhë me bandën e romëve.

Demiri rezulton të paktën ligjërisht në QKB si pronar i një lokali në qendër të Fierit me emrin “PIAZZA” në rrugën “Jakov Xoxa” të lagjes “Apollinia” pranë të cilit edhe u vra 57 vjeçari.

Menjëherë pas vrasjes që ndodhi në qendër të Fierit, një mjet që dyshohet se u përdor nga autorët u gjet i djegur në fshatin Daullas, duke vështirësuar më tej punën për kapjen e autorëve. Vrasja duket se ka qenë e mirëmenduar, pasi edhe pse u krye në një zonë mjaft të populluar, fatmirësisht rezultoi pa pasoja për kalimtarët e rastit.

Backa u vra brenda në mjetin e tij, ndërsa kanë qenë disa plumba në trup ata që i kanë marrë jetën.


Shtuar 24.10.2021 08:22