Kosova në krizë për grurë
Gruri vendor po i mungon tregut edhe pse toka e plleshme bujqësore nuk mungon. Një ndër arsyet e këtij deficiti janë edhe kushtet e pavolitshme atmosferike vitin që shkoi, përfshirë edhe mungesën e reshjeve atmosferike që mbizotëroi gjatë vjeshtës.

Edhepse vlerësohet të jetë kulturë strategjike, gruri megjithatë nuk po kultivohet mjaftueshëm nga bujqit kosovarë. Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) thotë se të mbjellat vjeshtore në 30 komuna arrijnë 50 mijë hektarë, të kundërtën e thonë bujqit.

Isuf Cikaqi, drejtor i departamentit të Politikave Bujqësore në MBPZhR, thotë se në vjeshtën e vitit që lamë pas, për shkak të kushteve klimatike fermerët e kanë pasur të pamundur të bëjnë përgatitjen e tokës për të mbjellë grurin.

Ai thotë se meqenëse ka ikur afati optimal, grurë është mbjellë edhe në dhjetor, por që edhe në këtë mënyrë nuk është arritur të sigurohet sasia e nevojshme.

Cikaqi thekson se në vitin 2018, bujqit kosovarë kishin mbjellë rreth 74 mijë hektarë grurë, prej të cilave janë korrur 73 mijë.

Ndërsa, sipas bujqve vitin që lamë pas është siguruar vetëm rreth 20 për qind e sasisë së nevojshme.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri bënë të ditur se në Kosovën e pasluftës nuk është arritur të punohet më shumë se 60 mijë hektarë nga toka e punueshme.

E mungesa e një infrastrukture adekuate për kultivimin e grurit, sipas tij, është arsyeja kryesore që ka rezultuar me rendimente të ulëta të grurit.




Shtuar më 26/02/2019, ora 08:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori