Kë mbështet Kina? Zbardhet telefonata e orëve të vona mes ministrit kinez dhe Blinken për tensionet në Ukrainë

Kina i kërkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të gjitha palët e përfshira në çështjen e sigurisë së Ukrainës, të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin rritjen e tensionit.

Ky mund të shihet si një mesazh i drejtpërdrejtë i Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat paralajmëruan për rreziqet ekonomike dhe të sigurisë në rast të një agresioni rus.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi dhe Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken folën për situatën në Ukrainë në një telefonatë të mërkurën mbrëma, raporton Reuters.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga bërja e gjërave që nxisin tensionet dhe krizën,” i tha Wang -Blinken, tha në një deklaratë ministria e jashtme e Kinës.

Rusia, e cila ka pozicionuar forcat e saj ushtarake në kufijtë e Ukrainës për muaj të tërë, i ka kërkuar NATO-s të tërheqë trupat dhe armët nga Evropa Lindore dhe të ndalojë Ukrainën, një ish-shtet sovjetik, të bashkohet me aleancën e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO e kundërshtojnë këtë qëndrim, por thonë se janë të gatshëm të diskutojnë tema të tjera si kontrolli i armëve.

“Sekretari Blinken… përcolli mesazhin se de-eskalimi dhe diplomacia janë rruga më e përgjegjshme që duhet ndjekur,” u citua t’i thoshte Blinken -Wang në një deklaratë të lëshuar nga departamenti i shtetit i SHBA.

Wang, me sa duket duke iu referuar kundërshtimeve të Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s në Evropën Lindore, i tha Blinken se siguria e një vendi nuk mund të jetë në kurriz të sigurisë së të tjerëve dhe siguria rajonale nuk mund të garantohet duke forcuar apo edhe zgjeruar blloqet ushtarake, tha ministria kineze.

“Për të zgjidhur çështjen e Ukrainës, ne ende duhet të kthehemi në Marrëveshjen e re të Minskut” tha Wang.

Kina ka forcuar lidhjet me Rusinë ndërsa tensioni midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është rritur për një sërë çështjesh, nga tregtia te të drejtat e njeriut, Tajvani dhe pretendimet detare të Kinës.

Presidenti rus Vladimir Putin, ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me sanksione personale nëse Rusia pushton Ukrainën, pritet të vizitojë Kinën javën e ardhshme për Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë më 4 shkurt.

Wang i tha Blinken se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të bëjnë gabime në fjalët dhe veprat e tyre ndaj Kinës, duke shkaktuar tronditje të reja në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

“Prioriteti kryesor për momentin është që SHBA duhet të ndalojë ndërhyrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të ndalojë së luajturi me zjarrin për çështjen e Tajvanit dhe të ndalojë krijimin e klikave të ndryshme kundër Kinës”, tha ai, sipas ministrisë së jashtme kineze.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Britania kanë njoftuar se nuk do të dërgojnë asnjë zyrtar shtetëror në Lojërat për shkak të historisë së të drejtave të njeriut në Kinë.

Kina ka mohuar abuzimet e të drejtave te njeriut dhe ka hedhur poshtë atë që e quan politizimin e sportit./Panorama/