Delegacioni parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga
kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Paris, u prit të enjten nga
kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Accoyer, nga i cili u kërkua ndikim më i fuqishëm i Francës mike për kapërcimin e vështirësive të Kosovës në proceset zhvillimore, për vendosjen e rendit e të ligjit në
veri dhe për liberalizmin e vizave e për integrimin e gjithëmbarshëm evropian.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, siç njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, shprehu kënaqësinë për atë që ka arritur Kosova dhe veçanërisht shprehu nevojën për rolin e fuqishëm të Kuvendit për përmbushjen e kornizës ligjore dhe për forcimin e shtetit ligjor. Ne, tha ai, e mbështesim Kosovën, duke e dëshmuar këtë edhe me prezencën franceze atje.
Një temë tjetër e takimit ishte gjendja në veriun e Kosovës dhe dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Delegacioni kosovar paraqiti pikëpamjen institucionale për domosdoshmërinë e shtrirjes së kushtetutshmërisë në
veri, për nevojën e shpërbërjes së strukturave ilegale kriminale atje dhe për sigurimin e qarkullimit të lirë e të mirëqenies qytetare.
Anëtarët e delegacionit të Kosovës kërkuan nga Franca dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë presion te Beogradi që të heqë dorë nga ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës dhe nga mbështetja që iu bën strukturave kriminale në
veri.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Accoyer gjatë takimit me delegacionin e Kosovës, shoqërohej edhe nga senatori Didier Boulaud, kryetar i Grupit miqësor ndër-parlamentar për Ballkanin Perëndimor, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i grupit francez në unionin interparlamentar, nga Eric Fournier, drejtor për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, si dhe nga Yvette Nicolas, presidente e OJQ-së “Le Pelikan”.
Shtuar më 03/11/2011,
ora 17:20