Ekipi shqiptar shpëton fëmijën 4-vjeç në Turqi, Malo tregon se si i mituri u nxorr nga rrënojat

Ekipi shqiptar i kërkim shpëtimit në Turqi ka arritur të shpëtojë një fëmijë 4-vjeçar nga rrënojat e një pallati të shembur në Malatya të Turqisë si pasojë e tërmeteve shkatërruese që kanë goditur vendin që prej mëngjesit të së hënës.

Në lidhje me operacioin e shpëtimit të fëmijës 4-vjeçar ka folur për Euronews Albania, Grei Malo, pjesëtar i ekipit shqiptar të kërkim shpëtimit që ndodhet në Turqi, shkruan albeu.com.

Malo tha se ekipi shqiptar u orientua nga Agjencia e Emergjencave në Turqi drejt një banesë 4 katëshe ku dyshohej se kishte persona ende në jetë.

Ai rrëfeu se nga aty arritën të nxirrnin të gjallë një fëmijë 4-vjeçar dhe 3 kufoma

“Me të mbërritur ekipi shqiptar na aktivizoi AFAD-i, Agjencia e Emergjencave të Turqisë, na lokalizuan në një godinë 4 katëshe, ku nxorëm 3 kufoma dhe 1 fëmijë 4-vjeçe të gjallë. Kjo fal stërvitjeve dhe trajnimeve që kanë bërë Forcat e Armatosua dhe në veçanti ekipi i Emergjencave Civile mbi kërkim shpëtimin.

Fëmija ishte në gjendje shoku dhe ishte e dehidruar. Nuk reagonte në fillim, në kuptimin e koshiencës, kuptohet pas gjithë asaj drame, por pati një far reagimi kur iu afrua familjarëve të tij, prindërve të tij.

E shoqëruam me ambulancë në spitalin rajonal përkatës nga shërbimi i urgjencës lokale”, tha Malo.

Sot mbërriti në Stamboll ekipi i dytë shqiptar i kërkim shpëtimit pas tërmetit tragjik që deri më tani ka shkaktuar mbi 8 mijë viktima.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. 75 forca po punojnë ditë e natë për të shpëtuar jetët nën rrënoja.

Kujtojmë se ekipi i parë shqiptar prej 53 personash, mjekë dhe specialistë të grupeve të kërkim-shpëtimit, ka mbërritur në Turqi paraditen e djeshme, për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Nuk duhet të harrojmë se gjatë kohës së tërmetit në Shqipëri, më 26 nëntor 2019, Turqia solli ekipet e saj për ndihmë/albeu.com/


Shtuar 8.02.2023 10:23