Kosova e trazuar!
nga Besnik Murati

Kosova ndër shekuj ishte e okupuar dhe e trazuar nga shumë pushtues të huaj, fatkeqësisht, akoma vazhdon të jetë e tillë por, jo më nga pushtues të huaj. I mbijetoj çdo furtune, mirëpo, këto furtuna nuk kanë të ndalur, sa për fajin e të tjerëve po aq për fajin tonë.

Dikur i thurnin vargje dhe i këndonin këngë, si një vend i bekuar me shumë pasuri tokësore e nëntokësore dhe një popull të padjallëzuar. Një vend i vogël, mbase i harruar në historinë e botës së civilizuar, rilindi sërish nga okupimi shekullor. Sot, a kemi se me çfarë të mburremi? A thua vallë, bota mund ta njoh Kosovën si një shtet i pavarur dhe sovran, një shtet i fort me një popullsi të përparuar në çdo fushë të jetës? Apo, Kosova akoma duhet të njihet si një vend që ka ngecur në vorbullën tranzitore.

Nuk mund të dëgjosh vetëm se, dështim, hajni, korrupsion, papunësi, varfëri ekstreme, nepotizëm, analfabetizëm, trafikim me qenie njerëzore, kontrabandë, dhe, me gjithë këto që edhe bota e civilizuar tmerrohet, na del edhe ajo që e patëm mangët, terrorizmi si fenomen shkatërrues dhe sfidues jo vetëm për Kosovën por, për tërë botën. Nuk është thënë kotë se, “shqiptarët din ta fitojnë luftën por, nuk din ta fitojnë paqen”.

Kjo paqe e brishtë, e ndërtuar mbi tehun e shpatës, po thuajse e deformuar nga komplotet jo vetëm e të huajve por, edhe nga komplotet brenda shqiptare. Kujt i bënë nder kjo? Kush nga ne mund të krenohemi me diç pozitive në Kosovë? Apo, ne jemi rrugës së të bërit një shtet sui generis edhe në aspektin shtet-formues, një shtet i pa parë ndonjë herë që do të ia kalonte edhe shtetit utopik të Thomas More.

Një thënie popullore thotë: “E pyeten Gomarin, pse nuk ripërtypësh? Ai tha, e urrej gënjeshtrën”. Si duket ne, akoma përtypemi duke besuar se nuk e gënjejmë vetveten, akoma nuk merremi me njerëzoren e aq më pak me Kosovën. Lufta si term përdoret në shumë aspekte, nga lufta ndaj vetvetes gjer të lufta në front.

Por, cila është dhe duhet të jetë lufta jonë sot, cili duhet të jetë fronti i përbashkët? Ai front është lufta ndaj çdo të keqeje që e ka kapluar këtë shoqëri. Andaj, me gjithë këtë imazh jo të mirë që e patë Kosova dhe akoma vazhdon ta ketë, imazhi i terrorizmit ishte kupola e dështimit të radhës.

Kë do ta fajësojmë pastaj? Do ti fajësojmë pushtuesit e kaluar, do ta fajësojmë Evropën për padrejtësitë e tyre kundër shqiptarëve, do të shkruajmë dhe mësojmë akoma histori se ne jemi një popull i padjallëzuar, një popull i lirë dhe i paqes, një popull ku çdo herë të tjerët ishin fajtor për dështimet tona. Çdo popull e shkruan historinë e tij, sot, ne e shkruajmë atë, por, fatkeqësisht histori që më s’do mund të gënjejmë dhe trumbetojmë se ishim apo duam të jemi një popull i cili do dhe di të jetojë dhe të rrojë në token e vet.

Skena politike në vend e llastuar pas pushtetit po ti dëgjosh secilën nga ta, si pozitën, si opozitën dhe të gjitha partitë politike, gojën e kanë të mbushur me demokraci, sundim të ligjit, lirin e të drejtave të njeriut, lirin e fjalës, barazi para ligjit etj.

Shfrytëzim i situatës kaotike, paqëndrueshmërisë institucionale, bënë që i tërë populli të merret me politik, ndërsa politikanet të merren me biznes. Kosova akoma është e trazuar jo më nga pushtues të huaj dhe të hapët, por, nga pushtues dhe tradhtar të brendshëm, nga klanet mafioz, diletantizmi, krijimi i skemave piramidale në çdo fushë të jetës.

Dashtë Zoti, ky trazim i brendshëm që po vlon në gjirin e popullit mos ti dali tymi, se dikur na ndihmuan të tjerët në emër të paqes, sot, do të na shkelin pamëshirshëm si shkatërrues të paqes. /albeu.com/







Shtuar më 10/10/2014, ora 19:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori