Kosova dorëzon në qershor raportin për liberalizimin e vizave
Në fund të këtij muaji, Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane i kryesuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mblidhet për të analizuar çështjen e liberalizimit të vizave, përkatësisht progresin në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Kështu është shprehur për Express Adrian Prenkaj, këshilltar për integrime europiane i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas tij Kosova është në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura.

"Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura në dialogun për liberalizim të vizave. Presidentja Jahjaga do të thërrasë më 20 prill takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku do të vlerësohet progresi i deritanishëm, si dhe hapat e ardhshëm në përmbylljen me sukses të këtij procesi", shprehet Prenkaj.

Muaji qershor përmendet si koha, kur Kosova përmbush të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa me pas, siç thuhet, është në duar të Komisionit Evropian që ta marrë vendimin politik.

Më 19 janar të vitit 2012 Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Udhërrëfyesi për viza iu dorëzua autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012. Udhërrëfyesi ishte një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosovës i është kërkuar t'i përmbushë, që nga pasaportat biometrike, nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim, ndalja e migrimit ilegal, demarkacioni i kufirit të Kosovës me vendet fqinjë, regjistrat civilë e shumë kritere të tjera deri te miratimi i një sërë ligjesh, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

BE vazhdon të kritikojë institucionet e Kosovës që nuk kanë përmbushur kriteret, ndërsa nga Qeveria e Kosovës fajin tashmë ia hedhin Brukselit, që nuk po e merr vendimin final për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë me regjim vizash për zonën Schengen. /albeu.com/



Shtuar më 08/04/2015, ora 16:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori