Kosova dhe Serbia angazhojnë kompani lobimi në SHBA
Kosova dhe Serbia kanë angazhuar kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përpjekje për të fituar sa më shumë përkrahje atje. Prishtina ka angazhuar “Paton Boogs LLP”, pjesë e të cilës është edhe Ambasadori Frank Wisner. E Beogradi po paguan kompaninë e ish-shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, John Podesta.

Pavarësisht se në kompanitë e lobimit mund të gjenden miq të njërës apo tjetrës palë, për çështjen e lobimit duhet të paguajnë edhe Prishtina edhe Beogradi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka angazhuar kompaninë e njohur amerikane “Patton Boggs LLP”, pjesë e të cilës është edhe diplomati i njohur amerikan Frank Wisner, i cili ka qenë i përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës.

Në këtë ministri shpresojnë se kontrata me “Patton Bogss LLP” - e cila kap një shumë prej 50 mijë dollarësh në muaj - do t’u shërbejë të gjitha institucioneve të Kosovës.

“Njëra ndër fushat që “Patton Boggs LLP” do të ndihmojë Republikën e Kosovës do të jetë në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe siguri, nxitjen e investimeve tregtare etj.”, ka thënë Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami, në një prononcim për Express.

MPJ pret që kjo kompani t’i ndihmojë vendit edhe në rritjen e investimeve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e shtrirjes diplomatike si dhe përforcimin e mbështetjes së administratës amerikane.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi kishte angazhuar firmën e njohur izraelite “Saachi and Saachi” në përpjekje për të prezantuar një imazh të ri të Kosovës. Sido që të jetë, kjo fushatë ishte kritikuar ashpër në opinionin për shkak të shumës së madhe të parave që ishin dhënë aty.

Në anën tjetër, për çështjen e lobimit nuk janë kursyer as serbët. Qeveria e shtetit fqinj ka vendosur po ashtu të angazhojnë kompaninë “Podesta Group”, e themeluar nga vëllezërit Tony dhe John Podesta. Ky i fundit ka shërbyer si shef i stafit në Shtëpinë e Bardhë në kohën e presidentit Bill Clinton. Kjo kompani do të “vjelë” Qeverinë e Serbisë me nga 100 mijë dollarë në muaj.

Sipas njoftimeve, pala kosovare ka nënshkruar kontratën në fund të gushtit – pa bërë ndonjë njoftim për media për të.
Shtuar më 05/11/2011, ora 09:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori