A mund të bjerë vërtet Putini? Çfarë na mëson historia se si e humbasin autokratët pushtetin

Nga Zack Beauchamp “Vox

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë duket gjithnjë e më katastrofike, janë shtuar ndjeshëm zërat se ky gabim i presidentit Vladimir Putin, mund të sjellë edhe rrëzimin e tij nga pushteti. Një sërë ekspertësh kanë parashikuar se frustrimi për shkak të kostove të luftës, dhe sanksionet e rënda ekonomike, mund të çojnë në rënien e regjimit të tij.

“Sulmi i Vladimir Putinit ndaj Ukrainës, do të sjellë rënien e tij dhe të miqve. Nëse historia është një udhërrëfyes, zullumet dhe llogaritjet e tij të gabuara, dobësitë si strateg dhe të metat në karakterin e tij si udhëheqës, do ta fundosin”- shkroi David Rothkopf në ”Daily Beast”.

Por cilat ngjarje mund ta rrëzonin Putinin? Dhe kur mund të ndodhin ato në të ardhmen e parashikueshme? Studimi më i mirë se si bien nga pushtetit autokratët, tregon dy skenarë të mundshëm:një grusht shteti nga ushtria, ose një rebelim popullor.

Gjatë Luftës së Ftohtë, grushtet e shtetit ishin mënyra më e zakonshme, përmes së cilës diktatorët largoheshin nga pushteti me forcë, Si për shembull rrëzimi i Peron në Argjentinë në vitin 1955. Por që nga vitet 1990, ka pasur një ndryshim thelbësor të mënyrës se si largohen nga pushteti liderët autoritarë.

Grushtet e shtetit janë pakësuar në numër, në një kohë që janë shtuar revoltat popullore, si kryengritjet e Pranverës Arabe dhe “revolucionet me ngjyra” në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Me gjithë spekulimet për humbjen e pushtetit nga Putin, asnjë nga këta skenarë nuk duket veçanërisht i mundshëm në Rusi, madje edhe pas pushtimit fillimisht katastrofik të Ukrainës.

Dhe kjo sepse Putini është përgatitur më shumë se sa çdo diktator tjetër për ruajtjen e pushtetit të tij. Gjatë 2 dekadave të fundit, udhëheqësi rus dhe aleatët e tij, kanë strukturuar pothuajse çdo element thelbësor të shtetit rus, me synim kufizimin e kërcënimeve ndaj regjimit.

Putin i ka arrestuar ose vrarë kundërshtarët e tij kryesorë, ka ngjallur frikë tek qytetarët dhe e ka bërë lidershipin e vendit të varur nga vullneti i tij për zhvillimin e tyre të vazhdueshëm. Aftësia e tij për të shtuar me shpejtësi represionin gjatë krizës aktuale në përgjigje të protestave kundër luftës – duke përdorur taktika që variojnë nga arrestimet masive në protesta, deri tek mbyllja e mediave opozitare, apo ndërprerja e platformave të mediave sociale – është një dëshmi e fuqisë që ka sot ky regjim.

“Putin është përgatitur prej kohësh për këtë ditë. Ai ka ndërmarrë shumë veprime të bashkërenduara, për t’u siguruar që të mos jetë i cenueshëm”- thotë Adam Casey, studiues në Universitetin e Miçiganit mbi historinë e grushteve të shtetit në Rusi dhe ish-bllokun komunist.

Por në të njëjtën kohë, studiuesit e autoritarizmit dhe politikës ruse, nuk janë tërësisht të gatshëm ta përjashtojnë rrëzimin e Putinit. Ekspertët me të cilët bisedova besojnë në përgjithësi se pushtimi i Ukrainës ishte një gabim strategjik, që e rrit ndjeshëm rrezikun e një grushti shteti dhe të një revolucioni, edhe pse në terma absolutë probabiliteti i tyre mbetet i ulët.

“Para luftës, rreziku nga secili prej këtyre kërcënimeve ishte afër zeros. Tani rreziku në të dyja këto aspekte është sigurisht më i lartë”- thotë Brian Taylor, profesor në Universitetin e Sirakuzës, dhe autor i librit “Kodi i Putinizmit”.

Por nëse lufta do të jetë edhe më katastrofike për presidentin rus sesa duket aktualisht, historia na tregon se ka disa mënyra, përmes së cilave edhe autokratët me pozitat më të forta e humbasin kontrollin e pushtetit. A mund të shkaktojë lufta në Ukrainë një grusht shteti ushtarak?

Në një intervistë dhënë kohët e fundit për “Fox Neës”, senatori amerikan Lindsey Graham, tha se shihte si zgjidhje për konfliktin “rrëzimin e Vladimir Putinin me vrasje ose përmes një grushti shteti” .Dhe Graham nuk duhet t’i humbë shpresat. Një revoltë ushtarake kundër Putinit është më e mundur tani, sesa përpara pushtimit të Ukrainës.

Gjithsesi për momentin probabiliteti është i ulët. Naunihal Singh, është një nga studiuesit kryesorë në botë i grushteve të shtetit. Libri i tij i vitit 2017 “Marrja e pushtetit” përdor analiza statistikore, teori të lojës dhe studime të rasteve historike, në përpjekje për të kuptuar çfarë i shkakton grushtet e shtetit, dhe çfarë i bën ato të kenë sukses.

Singh zbuloi se ushtritë kanë më shumë gjasa të tentojnë grushte shteti në vendet me të ardhura të ulëta, në regjime që nuk janë as plotësisht demokratike dhe as plotësisht autokratike, dhe në vende ku grushtet e shtetit kanë ndodhur edhe më parë kohët e fundit.

Asnjë nga këto kushte nuk vlen aq për Rusinë e sotme, një vend autoritar me të ardhura mesatare, që nuk ka parë një përpjekje për grusht shteti që nga fillimi i viteve 1990. Por njëkohësisht, luftërat si ajo e Putinit mund të ngjallin pakënaqësi dhe frikë në radhët e regjimit, pikërisht në kushtet në të cilat ne kemi parë grushte shteti në vende të tjera.

Singh thotë se konflikti në Ukrainë i rrit shanset për një grusht shteti në Rusi për dy arsye.

Së pari, ai mund të dobësojë besnikërinë e udhëheqjes ushtarake ndaj Putinit, dhe së dyti mund të ofrojë një mundësi të pazakontë për të planifikuar një lëvizje kundër tij.

Motivi që ushtarakët rusë të nisin një grusht shteti, do të ishte shumë i drejtpërdrejtë:Fushata e kushtueshme në Ukrainë bëhet e papëlqyeshme në mesin e drejtuesve kryesorë të ushtrisë, madje edhe kërcënuese për ta. Gazetarët dhe ekspertët kryesorë mbi Rusinë, kanë paralajmëruar tashë se Putini është i rrethuar nga një rreth zyrtarësh servilë që ushqejnë obsesionet e tij nacionaliste, dhe që i thonë atij vetëm atë që dëshiron të dëgjojë.

Ishte ky grupim shumë i vogël njerëzish, që hartoi një plan pushtimi, i cili supozonte se ushtria ukrainase do të bënte rezistencë minimale, duke e lejuar Rusinë ta pushtonte me shpejtësi Kievin dhe të instalonte atje një regjim kukull.

Farida Rustamova, gazetare ruse me burime të forta brenda Kremlinit, thotë se zyrtarët e lartë civilë në qeverinë ruse janë tashmë të pakënaqur me luftën dhe pasojat e saj ekonomike. Ndërkohë mund të imagjinohet ndjenja që po përjetojnë tani ushtarakët, shumë pak prej të cilëve ishin informuar më parë për planet e luftës, dhe ku shumë prej tyre e kanë tani për detyrë të vrasin në masë ukrainasit.

Dhe këtu ka një element shtesë, që mund t’i përshpejtojë grushtet e shtetit:pasiguria personale midis gjeneralëve të rangut të lartë dhe oficerëve të inteligjencës. Andrei Soldatov, ekspert i Rusisë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, raporton se Putin po i ndëshkon zyrtarët e lartë në FSB – agjencia pasardhëse e KGB-së – për dështimet fillestare në këtë luftë.

Burimet e Soldatov thonë se Putin ka vendosur në arrest shtëpie Sergei Beseda, kreun e degës së inteligjencës së jashtme të FSB-së (si dhe zëvendësin e tij). Kjo sjellje përputhet me parashikimet e Singh se performanca e dobët në luftëra, i nxit në përgjithësi autokratët të gjejnë dikë për ta fajësuar.

Dhe frika nga ndëshkimi mund të bindë disa nga elita e sigurisë, se mënyra më e mirë për të mbrojtur veten e tyre është ta heqin qafe Putinin. “Unë nuk mendoj se Putini do t’i vrasë. Por atyre mund t’i duhet të jetojnë nën morsën e frikë dhe poshtërimit. Ata do të kenë frikë për të ardhmen e tyre”-thotë Singh.

Nga ana tjerr, a mund të kemi një kryengritje kombëtare? Një revolucion kundër Putinit është bërë më i mundshëm që nga fillimi i luftës. Në këtë shekull, kemi parë më shumë kryengritje popullore në vendet post-sovjetike si Gjeorgjia, Bjellorusi dhe Ukrainë.

Pavarësisht kësaj, provat më të mira sugjerojnë se gjasat për të shpërthyer në Rusi një rebelim popullor janë ende mjaft të ulëta. Ekspertja Erica Chenoweth e Universitetit të Harvardit dhe politologia Maria Stephan, thonë se një protesta jo e dhunshme ka më shumë gjasa të rrëzojë regjimet sesa një kryengritje e armatosur

Hulumtimi i Chenoweth sugjeron se për të garantuar një lloj lëshimi nga qeveria, në protesta duhet të përfshihet rreth 3.5 për qind e popullsisë. Në rastin e Rusisë, kjo përkthehet në rreth 5 milionë njerëz. Protestat aktuale kundër luftës, janë ende shumë larg kësaj norme.

Putin e ndërtoi legjitimitetin e tij rreth idesë së rivendosjes së stabilitetit, prosperitetit dhe pozitës globale të Rusisë. Duke i kërcënuar që të tria këto, lufta në Ukrainë është deri më sot testi më i madh për regjimin. /abcnews.al

*Marrë me shkurtime