Korrupsioni, TIA: Kosova e fundit në rajon
Prishtina
Kosova renditet e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikësh në mesin e 178 shteteve të botës nga Transparency International. Kjo organizatë ka bërë sot publik raportin vjetor mbi shkallën e korrupsionit në nivel global.

Është hera e parë që kjo organizatë e rendit Kosovën në mesin e shteteve të tjera. Ndryshe nga ç’mund të mendohet, arsyet pse Kosova nuk ka qenë pjesë e atij që njihet si treguesi i korrupsionit të matur nga Transparency International, kanë qenë teknike.

“Kjo ka qenë hera e parë që ne kemi mundur të përdorim tre burime në Kosovë. Kjo është ajo që ne bëjmë me çdo vend - përdorim tre burime informacionesh për të nxjerrë treguesin. Deri tani, Kosova nuk ka qenë e përfshirë për arsye teknike, jo politike”, thotë Deborah Unger, zyrtare për informacione pranë Transparency International.

Kosova gjendet në mes sa i përket vlerësimit të korrupsionit, por ajo renditet më poshtë se vendet e tjera të rajonit.

Maqedonia ka pozitën më të mirë sa i përket shkallës së korrupsionit në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia renditet e 62-ta me një numër pikësh prej 4.1, e ndjekur nga Mali i Zi që gjendet në vendin e 69-të.

Më pas vjen Serbia në vendin e 78-të, me një vlerësim prej 3.5 pikësh, e ndjekur nga Shqipëria në vendin e 87-të, me 3.3. Pas Shqipërisë gjendet Bosnja në vendin e 91-të ose me një nivel pikësh prej 3.2.

Të gjitha vendet e rajonit kanë shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar. Shqipëria, në raportin e vitit 2009, të hartuar nga Transparency International, renditej e 95-ta, e po kështu dhe Serbia, e cila vjet ishte në vendin e 83-të. Përmirësimin më të dukshëm e ka bërë Maqedonia.

Në nivel global, vendin e parë si shtete më pak të korruptuara e ndajnë Danimarka, Zelanda e Re dhe Singapori me 9.3 pikë. Ndërkaq, Somalia e përmbyll raportin me një vlerësim prej 1.1 pikësh.

Në një gjendje po kaq negative sa i përket shkallës së korrupsionit janë dhe Mijanmari e Afganistani me 1.4 pikë. Këto janë tre vendet që mbyllin tabelën.

Tre të katërtat e vendeve të përfshira në raport gjenden poshtë vlerësimit prej 5 pikësh, kur Transparency International përdor vlerësimin 10 si maksimal dhe 0 për shkallën më të lartë të korrupsionit. Të gjitha vendet e rajonit kishin më pak se 5 pikë. (rel)
Shtuar më 26/10/2010, ora 13:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori