Korrupsioni nuk luftohet në komuna
Shkeljet dhe parregullsitë ligjore në fushën e prokurorimit publik vazhdojnë të jenë në trendin e komunave të Kosovës. Lëvizja Fol vetëm në tre mujorin e parë ka identifikuar katër komuna që kanë bërë shkelje ligjore në gjashtë tenderë të ndryshëm në prokurimin publik. Fjala është për komunën e Prishtinës, Shtimes, Gjakovës dhe atë të Gjilanit.

Petrit Zogaj, udhëheqës i kësaj organizate, tha se me këtë kuptohet përfshirja e zyrtarëve komunalë në afera korruptive.

“Ajo çfarë ne kemi parë, edhe pse në ligj specifikohet çështja e transparencës, një gjë e tillë mungon te niveli lokal, pikërisht te procedurat e tenderimit në prokurimin publik. Kështu që, prokurimi publik, është një \'boks i zi\' brenda qeverisjes lokale, ku bëhen çfarëdo lloj shkeljesh dhe pa ndonjë presion publik”, tha Zogaj.

Niveli lokal nuk bën përjashtim nga niveli qendror ku korrupsioni është në nivel të lartë. Edhe në komuna, partitë politike, gjykatat dhe sektori publik konsiderohen si sektorët më të korruptuar, tha Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ajo çka e dallon nivelin lokal nga niveli qendror, sipas Mustafës, është mungesa e monitorimit të duhur nga organizatat joqeveritare, kështu që problemet nuk dalin në sipërfaqe, shkruan Radio Evropa e Lire.

“Dihet se abuzimet në prokurimin publik janë shumë të mëdha. Këto thuhen edhe në raportin e Komisionit Evropian, ndërkaq kemi mekanizma shumë të dobët që kontrollojnë paranë publike, apo prokurimin publik dhe njëkohësisht dihet se ka shumë kontrata që janë duke u hetuar për prokurimin publik. Pra, abuzimet janë të mëdha, ndërsa kontrolli është shumë i vogël”, shprehet Mustafa. /albeu.com/
Shtuar më 09/06/2013, ora 14:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori