Kornizat e bisedimeve i vendos Kuvendi
Parlamenti i Kosovës
Kuvendi i Kosovës duhet t’i përcaktojë kornizat e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, thonë partitë opozitare. Roli aktiv i Kuvendit në bisedime, mbështetet edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili kërkon që të miratohet një rezolutë, e cila do t’i përcaktonte kornizat e këtij dialogu për palën kosovare. Krasniqi mbështet nismat për debat parlamentar rreth natyrës së dialogut me Serbinë.

“Unë mendoj që Kuvendi ka nevojë ta nxjerrë një rezolutë, e cila i përcakton kornizat se çka mund dhe çka nuk mund të bisedohet dhe natyrisht jam që në Kuvend të zhvillohet një debat për natyrën e këtyre bisedimeve”, thotë Krasniqi.

Një nismë konkrete në drejtim të përfshirjes së rolit të Kuvendit në procesin e ardhshëm të bisedimeve Kosovë–Serbi mund të iniciohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës si grupi më i madh opozitar, shkruan Zëri.

Nënkryetari i Kuvendit dhe i LDK-së, Sabri Hamiti, thotë se Kosova dhe Serbia nuk mund të zhvillojnë bisedime teknike, pasi që sipas tij, ende çdo raport ndërmjet këtyre dy shteteve konsiderohet i natyrës politike.

"Biseda me Serbinë, qoftë kur cakërrohet një gotë, qoftë kur thuhet një mirëdita, në raportet që i kemi ne në dy dekadat e fundit është politikë..., apo qoftë edhe kur bisedohet për kanalizim, është politikë”, vlerëson Hamiti.

“Prandaj, unë e konsideroj si çështje shumë më të madhe sesa një deklarim se një dëshirë e komunitetit ndërkombëtar që të bëhet prioritet për Kosovën, sepse shkurt e shqip, dialogu me Serbinë nuk është prioritet i Kosovës”, thekson Hamiti.

Deputeti Sabri Hamiti nuk e përjashton as mundësinë që Kuvendi të debatojë për dialogun me Serbinë edhe me dyer të mbyllura, në mënyrë që të mos cenohet procesi që tashmë është në përgatitje e sipër nga ana e Brukselit.

Anashkalimi i Kuvendit në bisedimet e ardhshme, sipas Ardian Gjinit të AAK-së, do të nënkuptonte një proces jolegjitim.

Mirëpo, një mendim ndryshe nga opozita ka qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se është krijuar një perceptim i përgjithshëm se me Serbinë çdo bisedim është i natyrës politike. Por, ai mendon se ka edhe aspekte teknike që mund të dialogohen.

“Mendoj që nëse nuk flitet për statusin, tërësinë territoriale, rendin juridik kushtetues dhe pavarësinë, këto të tjerat mbeten çështje të raporteve ndërshtetërore”, thotë Kuçi.

Një pozicionim të qartë kundër bisedimeve me Serbinë e ka shprehur tashmë edhe lëvizja Vetëvendosje si partia e tretë në Kuvend. Në qëndrimet e këtij subjekti politik thuhet se bisedimet me Serbinë do t’i thellojnë vijat ndarëse ndëretnike brenda Kosovës dhe se nga ky dialog, Serbia do të sigurojë vendin kandidat për në BE, kurse Kosova nuk do të fitojë asgjë.

Në anën tjetër, komuniteti ndërkombëtar adreson në vazhdimësi mesazhe për nisjen e këtij dialogu. Ambasadori francez në Prishtinë, Jean Fraçois Fitou, tha të hënën pas një takimi me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, se ky dialog është i pashmangshëm.

Dialogu me Serbinë është i pashmangshëm. Të dyja palët duhet të gjejnë rrugë për qasje sa më konstruktive ndaj kësaj çështjeje. Sipas asaj që unë shoh, të dyja qeveritë, ajo në Beograd dhe kjo në Prishtinë, kanë vullnetin që të ndihmojnë këtë dialog”, tha Fitou.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës ka emëruar tashmë zëvendëskryeministren Edita Tahiri në postin e koordinatores për bisedimet me Serbinë dhe pritet që shumë shpejt të formohen edhe ekipet punuese për fushat në të cilat do të dialogohet.

Dialogu me Serbinë, edhe pse i përfolur si teknik, është parë edhe si një lloj kërcënimi për tërësinë territoriale të Kosovës, marrë parasysh gjendjen në veri.

Duke u nisur nga gjendja faktike në veri, ku Qeveria e Kosovës nuk e ka nën kontroll atë pjesë, e cila vazhdon të mbizotërohet nga struktura e pushtetit paralel që mbështetjen e kanë në Beograd, analistët kanë tërhequr vërejtjen se veriu edhe mund të imponohet si temë e veçantë e bisedimeve.
Shtuar më 01/03/2011, ora 09:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori