Kontrabanda, Eulex arreston Dejan Vuloviç
Arkiv
Në Leposaviç, në veri të Kosovës është vënë në prangat e policisë një person i cili akuzohet për krim të organizuar dhe për tentativë vrasjeje. Arrestimi është kryer nga policia e misionit EULEX. I arrestuari është një qytetarë serb i quajtur Dejan Vuloviç, nga fshati Dren i Leposavicit. Ai dyshohet të jetë njëri ndër bosët më të mëdhenj të kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e EULEX, Karim Limdal dhe sipas Limdal, arrestimi i kryer është një eveniment i rëndësishëm, pasi është i pari që bëhet në zonën problematike të shtetit të ri dhe që ka të bëjë me krim të organizuar.

Burime policore kane thëne se për arrestimin e tij ka pasur fletë-arrest shumë më parë, mirëpo spiunet nga policia e Kosovës në këtë pjesë janë kujdesur që ta njoftojnë atë për aksionet e mundshme te policisë.

Hetimet janë duke u realizuar nga policia e EULEX-it nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it në gjykatën e qarkut në Mitrovicë. Ndaj Dejan Vuloviç kishte edhe një urdhërarrest ndërkombëtar.

EULEX-i më herët kishte paralajmëruar se në veri të Kosovës do të nisë arrestimi i personave "të cilët kanë shkelur ligjin".

Arrestimi i sotëm është i pari i këtij misioni, në këtë pjesë të Kosovës, e cila përveç problemeve politike që ka, vlerësohet edhe si vend i krimit dhe kontrabandës.
Shtuar më 04/10/2010, ora 19:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori