Incidentet në ndeshjen Shqipëri-Poloni, vjen vendimi nga FIFA

Pas incidenteve të sfidës në Shqipëri-Poloni e cila u luajt në stadiumin “AIR Albania”, Komiteti Disiplinor në FIFA ka marrë vendimin se FSHF gjobitet me shumën prej 150 mijë frangash dhe me një ndeshje pa tifozë në shtëpi, ndaj Andorrës më 15 nëntor.

Njoftimi i FSHF:

Federata Shqiptare e Futbollit është njohur mbrëmjen e sotme me vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, e luajtur më datë 12 tetor 2021 në Air Albania Stadium.

Vendimi i sotëm ndëshkon Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyron që të luajë ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve.

FSHF shpreh keqardhjen për këtë vendim të marrë dhe do të ndërmarë të gjithë masat e nevojshme që situata të tilla, të shkaktuara nga disa individë, mos të ndodhin më në të ardhmen dhe të mos dëmtojnë Kombëtaren tonë në paraqitjen e tyre ndërkombëtare.

Federata do të vlerësojë mundësitë për ankimimin e vendimit brenda afateve të parashikuara.


Shtuar 22.10.2021 19:28