Komploti i dështuar politik dhe “fitorja historike” e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Pëlqej
Nga Nehat Hyseni

Sfidat e zgjedhjeve parlamentare 2014 për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e sidomos për Partinë për Veprim Demokratik, e cila mbeti e vetmuar, meqë ato u bojkotuan nga partite tjera në Luginë.

As apelet e Tiranës dhe Prishtinës nuk i zmbrapsën ata nga synimet për përfitime personale e grupore politike, duke i izoluar nga e tërë bota shqiptarët e kësaj pjese të Shqiptarisë. Fatmirësisht, kësaj radhe votuesit shqiptarë i tejkaluan ndasitë dhe barrierat partiake, duke shënuar kështu “fitoren historike” të dy deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, z. Riza Halimi nga Presheva dhe z. Shaip Kamberit nga Bujanoci.


Zgjedhjet parlamentare të 16 marsit 2014 në Luginën e Preshevës u përjetuan si dramatike, meqë u ballafaquan me vështirësi e sfida të shumta, nga më të ndryshmet, që kishin për qëllim realizimin e synimeve të kahëmotëshme të qarqeve antishqiptare të ndërsyera dhe të mbështetura nga regjimi i Serbisë.


Për hirë të së vërtetës, duhet pranuar se organizimi i pavarur politik i shqiptarve në Serbi, që nga fillimet e veta në vitin 1990, ballafaqohet me propagandë, agjitacion dhe masa të paskrupullta të regjimit serb, duke përdorur, sipas nevojës dhe momentit përkatës politik, herë "shkopin" e herë "karrotën", e ndonjëherë të dyja së bashku për rrënimin e unitetit të veprimit politikshqiptarve, duke i vënë në pozita të kundërta midis vetit, që shpeshëherë praktikisht manifestohen madje edhe si pozita armiqësore.

Kështu, disa parti politike shqiptare e garonin, apo më mirë me thënë, e ngatërronin rolin dhe misionin e tyre kombëtar, duke e (keq)kuptuar misionin dhe qëllimin e ekzistencës së tyre në skenën politike, vetëm si kundërvënie partisë tjetër, që praktikisht manifestohej si pozicionim kundër veprimit unik të shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pra, në nivel të Luginês së Preshevës, apo si po e quajnë disa, të Kosovës Lindore.


Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ky qëllim, duke përdorur, sipas rasteve dhe nevojave,mjete mjaftë të sofistikuara.

Natyrisht, forma më frytëdhënëse dhe më e dobishme për Serbinë ishte shfrytëzimi dhe keqpërdorimi i synimeve kombëtare të shqiptarve, madje duke i njohur dhe studiuar ato mirë e mirë, shkencërisht e profesionalisht, me një nivel të lartë e të sofistikuar nga regjimi antishqiptar i Serbisë.


Kështu, Serbia vepronte dhe vepron aktualisht në katër drejtime:


1. Komplotin e subjekteve politike shqiptare

2. Kundërvënien ndaj Shqipërisë dhe Kosovës

3. Vetizolimi nga miqtë tanë ndërkombëtarë

4. Kundër unitetit të brendshëm aksional e veprues të PVD-së


Natyrisht se studimi dhe analiza shkencore e këtyre dukurive kërkon punë dhe përkushtim serioz.

Kësaj radhe do të mjaftohemi me një analizë sipërfaqësore, kurse në të ardhmen shpresojmë të kemi analiza të mirëfillta e debate, që do ta trajtonin në mënyrë të shumëanëshme e shumëdimensionale, nga këndëvështrime të ndryshme, këtë fenomen aq të rëndësishjëm për mirëqenien dhe fatin historik të shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë, që aktualisht kanë mbetur nën regjimin antishqiptar të Serbisë.

1. Komploti i subjekteve politike shqiptare

Çështja e (mos)unitetit të spektrit politikshqiptarve të Luginës së Preshevës në kushte të pluralizmit politik në Serbi, paraqitet si problematik qysh në fillimet e vendosjes në vitin 1990. Që atëherë, dikush u përkujdes që shqiptarët të mos jenë unikë politikisht, madje duke i “fryer” zjarrit të konfikteve dhe duke e ushqyer e ndërsyer atë me të gjitha forcat.

Ndasia politike midis shqiptarve ishte e kurdisur dhe e fuqizuar nga qarqet antishqiptare, por mbështetej fuqishëm dhe merrte hove dhe intenzitet të shtuar me apetitet për pushtet dhe pasurim të pangopshëm dhe të kundërligjshëm të individëve të caktuar. Ata u kujdesën që organizimi politik I shqiptarve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të copëzohej e parcializohej deri në atë masë sat ë pamundësonte veprimin unikë të shqiptarve në nivel të përbashkët.

Gjatë kohës, regjimit sikur nuk I mjaftoi mbështetja dhe sukseset që kishte arritur në “feudalizimin” primitive të spektrit politik të tyre, andaj edhe iu qas me tërë fuqinë dhe forcën shkatërrimit të PVD-së si parti e vetme politike që ibashkonte politikisht të gjithë ata. Kjo luftë kundër unitetit politike të tyre nuk është ndëprerë në asnjë moment në periudhën pluraliste 24 vjeçare, duke vepruar me intensitet here më të ashpë ashpër e here-herë më të zbutur, sipas nevojës.

Efektet e tilla negative shihen kudo në luftyën e vështirë dhe sizifiane për vendosjen dhe avancimin e institucioneve të përbashkëta në nivel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e Luginës, duke ia ndihmuar qeverisë së Serbisë obstrukcionet reth Trupit Koordinues dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarve.

Kësaj radhe, sa duket, ata kishin pare rastin e volitshëm që të gjithë së bashku të organizojnë një grusht vendimtar, pra një komplot poilitik për ta rrënuar definitivisht unitetin politikshqiptarve në nivel të Luginës, me faktorin gjithëshqiptar dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Por, siç u pa puna, dështoi katërcipërisht, duke e shndërruar debaklin e planifikuar të tyre në fitore historike të PVD-së dhe të shqiptarve të Luginës.

Pra, mosdalja në zgjedhje e partive poltike në Luginë ishte organizuar si komplot politik për ta rrënuar nga skena poltike PVD-në, si parti të parë politike të Luginës dhe si e vetme që ka shtrierje në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Ky komplot i organizuar dhe I planifikuar nga ata, por edhe i nxitur dhe i mbështetur nga Serbia, duke bërë obstrukcione nga Gjykata e Preshevës dhe kryetari i saj, që ishte serb I komunës së Bujanocit, për të na pamundësuar mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, duke mos lejuar punëtorin gjyqësor me orar të plotë dhe duke bllokuar kështu procesin.



2. Kundërvënia ndaj Shqipërisë dhe Kosovës

Meqë këshillat e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, të cilën subjektet politikeshqiptarve të Luginës e morën nga vizita e tyre në përmasa masovike, sa një ekip futbolli, duke shkuar gjithsej 14 “lider(uc)a” të Luginës, që më parë duhej të vendoseshin në ndonjë sallë të madhe apo në stadium, se san ë një zyre normale.

Natyrisht se kjo ishte një formë tragjikomike e kinse përfaqësimit politik të Luginës, ku aktualisht vështirë është të numërohen dhe të dihet numri i saktë i tyre, meqë pothuajse çdo lagje ka formuar parti të veten.

Edhepse këta ishin mësuar që ashtu si “lokomotivë” të shkonin për ta pëfaqësuar Luginën, siç ishte edhe rasti i vizitës kohë më pare në Beograd tek Kryeministri i atëhershëm Ivica Daçiq, e cila përfundoi në formën më joserioze, dështuese e tragji-komike, ku askush nuk i mori seriozisht.

Madje, Daçiqi hodhi batuta nënçmuese, ku njëri lider i një partie miniaturale, “rrahu gjoks” dhe i dëfreu politikanët dhe auditorin politik serb me nivelin jodinjitoz . Ishte e kuptueshme se kjo nuk mund të shkonte dhe të “pinte ujë” edhe në Shqipëri.

Prandaj, atyre iu sugjerua që ta reduktojnë grupin përfaqësues në gjithsej katër veta: dy kryetarë të komunave, deputeti popullor dhe kryetari I Këshillit Nacional.

Pra, duhej disiplinuar skena e përfaqësimit politikshqiptarve të Luginës. Madje, këshilla apo kërkesa ishte ultimative: “Ose ejani vetëm 4 anëtarë, ose kështu mos ejani fare!”.

Biseda e 29 janarit 2014 në Tiranë u zhvillua në frymë të përpjekjeve të Ministrit të Punëve të Jashtëme Ditmir Bushatit për t’i bindur që të gjithë shqiptarët e Luginës të dalin unikë në zgjhedhjet e 16 marsit 2014, në mënyrë që të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i trupit votues të shqiptarve të Luginës, duke arritur maksimumin prej 3 ose 4 deputetësh.

Këshilla e tillë e Tiranës, dhe ajo edhe më decidive nga vizita e më vonëshme në Prishtinë, si edhe shumë të tjera deri më sot, si zakonisht, edhe kësaj radhe hasi në” veshë të shurdhër”.

Madje, pati edhe interpretime të ndryshme, sipas qejfit dhe ashtu si u konvenonte secilit prej tyre veç e veç. Andaj, ata u thirrën edhe një here në Tiranë. Por, kot se kot!

Kjo vërteton tezën, se nuk kemi të bëjmë me mosdije. Sepse, edhe fëmiut parashkollorë i është e qartë se ai që ia kthen shpinën Tiranës dhe Prishtinës, nuk ia don të mirën as shqiptarve të Luginës.

Kjo gjë u pa në ngritjen peshë të të gjitha parti(za)ve dhe lider(uc)ëve, madje duke caktuar nga radhët e tyre “rojtarç” të votive të LDS të Çedomir Jovanoviqit dhe të SDA-së së boshnjakëve të S. Uglaninit! Pra, duke qenë kundër kandidatëve shqiptarë dhe për kandidatët serbë e boshnjakë! Sic!!!

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, madje as në kohën e ish Jugosllavisë!

Sepse, poqese ka pasur kandidatë shqiptarë, vota e shqiptarve u është dhënë atyre, e kurrësesi të tjerëve. Dhe e gjithë kjo “shitej” si “patriotizëm”!

Absurdi shkoi aq larg, sa që lideri i SDA-së së boshnjakëve të Novi Pazarit z. Sulejman Uglanin e vizitoi Bujanocin dhe u pritë nga lideri i PD-së që i bojkotoi zgjedhjet, dhe deklaroi se “SDA do ta caktoj një deputet boshnjak për Luginën?!

A nuk ishte kjo fyerje ordinere dhe nënçmim i paturp dhe ipaskrupullt, që deputeti boshnjak të votohet nga shqiptarët dhe pastaj ai “t’i mbrojë” të drejtat e tyre në Parlament!

Po vallë, shqiptarët a nuk kishin kandidatët e vet në Listën 9 anëtarëshe? E të detyrohen ta votojnë kandidatin boshnjak, i cili do të “bëjë merhamet” e do t’i mbrojë të drejtat e shqiptarve.

A thua shqiptarët qenkan të paaftë dhe budallenjë?!

Natyrisht se kjo nuk “piu ujë” në popull, duke treguar mosbindje partiake dhe duke qenë të vendosur për t’ia dhënë votën shqiptarve.

Sidomos kishte rol pozitiv apeli eksplicit i Kryeministrit të Kosovës z.Hashim Thaçi për dalje në zgjedhje.

3. Vetizolimi nga miqtë tanë ndërkombëtarë

Apelet e miqve të dëshmuar e tradicional të shqiptarve në përgjithësi, e shqiptarve të Luginës në veçanti, që kanë investuar mjete të kosiderueshme për përmirësimin e jetës dhe sidomos për vendosjen e sigurisë, realizimit të lirive dhe të drejtave tona qytetare e kombëtare, etj, Ambasada e SHBA-së, Anglisë, OSBE-së dhe ambasadave e organizmave të tjerë ndërkombëtarë, tërë kohën kishin bërë apel dhe na kishin vizituar shumë here për të na bindur për dalje në zgjedhje.

Megjithatë hasën në “veshë të shurdhër” tek të gjitha partitë politike përveç PVD-së.

Ky veprim i papranueshëm i partive bojkotuese kishte pasoja tejet negative për ardhmërinë dhe mirëqenien tone në këto troje tona stërgjyshore.



4. Kundër unitetit të brendshëm aksional e veprues të PVD-së

Dyshimet, dilemat, luhatjet dhe skepticizmi i shprehur publikisht i disa anëtarëve kulmuan në mbledhjen e Kuvendit të PVD-së. Për çudi, ato ishin të shfaqura kryesisht tek individët të cilët më së shumti kishin përfituar materialisht dhe moralisht nga kjo parti, duke jetuar tërë kohën nga postet që kishin realizuar nga përfitimi partiak.

Insistimi i tyre këmbëngulës, madje duke tentuar që ta bllokojnë zhvillimin normal të mbledhjes me ndërhyrjen këmbëngulëse, madje edhe skajshmërisht arrogante, kinse dyshonin në mundësitë e partisë për t’ia dalur me sukses sfidës së grumbullimit të 10 mijë nënshkrimeve, duke i plotësuar formularët e fletëregjistrimit nën mbikëqyrjen Gjykatës, që ishte e disponuar armiqësisht për bllokimin e këtij procesi sidomos në Preshevë.

Sa duket, ishte bërë një llogari e gabueshme nga disa individë, ose si themi “pa hanxhiun”, për realizimin e ambicieve të tyre aspak të sinqerta e karrieriste. Duke u shoqëruar me kreun e frakcionit që e ndau PVD-në kohë më parë në Bujanoc, kishin llogaritur se “u kishte ardhur koha”!

Sjellje dhe bindje të këtillë kishte pasur edhe kreu i UDSH-së, i cili ishte pajtuar plotësisht për të dalur në zgjedhje, duke i premtuar disa aktivistëve të PVD-së se “kjo është punë e kryer”.

Mirëpo, të nesërmen kishte ndërruar mendje, si duket nga një pazarllëk të ofruar për ndërrimin e koalicionit të PDSH-së me BL-në, duke iu ofruar posti i drejtorit të Shtëpisë së shëndetit. Prandaj edhe brenda natës ndërroi mendje, edhepse anëtarësia e tyre doli masovikisht dhe plotësisht në zgjedhje, madje në Bujanoc kryetari i degës së UDSH-së i ftoi publikisht anëtarësinë e tyre të del në zgjedhje.

Pra, komploti ishte i shumëfishtë, qoftë nga ata të cilët sinqerisht dyshuan në aftësitë organizative e vepruese dhe në mbështetjen e autoritetin që gëzon kjo parti në popull, por edhe nga pushteti dhe partitë bojkotuese.

Duke pare sfidën reale me të cilën ballafaqohej PVD, kjo ndikoi në mobilzimin e anëtarësisë dhe individëve e aktivistëve të vjetër, të cilët ishin angazhuar me përkushtim dhe ishin pjesë e historisë së sukseshme dhe të lavdishme të saj kohë më pare.

Ata nuk mundën të pajtohen me situatën e defetizmit dhe me pozitën e papranueshme e të qenit qe tetë vjetë rrjeshtë në opozitë, duke ia mohuar mundësinë për udhëheqje të përgjegjëshme të shqiptarve në Luginë, ashtu si e bëri për një kohë të gjatë, duke shënuar një periudhë të lavdishme dhe shprese për jetë më të mirtë.

Suksesi i arritur në këto zgjedhje parlamentare me zgjedhjen e dy deputetëve shqiptarë, përkundër komploteve të përmendura politike dhe sfidave të shumta, u vlerësua nga kreu politik i Kosovës si “ fitore historike”!

Kjo na jep forcë dhe vetbesim për ta kthyer shpresën tek populli se ne dojmë dhe mundemi që të sigurojmë jetë më të sigurtë dhe mirëqenie, duke ndalur shpërnguljen dhe duke përgatitur kushtet për kthimin e të shpërngulurve, që janë bërë gaz i botës, të zhgënjyer nga keqqeverisja, korrupsioni marramendës dhe performansa komprometuese e antishqiptare e pushtetit lokal në Preshevë e Bujanoc./albeu.com/
Shtuar më 29/09/2014, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori