KOMENT / Vuçiç, shqiptarët vështirë ta besojnë se ti je një progresist
nga Dionis Xhafa - Aleksandër Vuçiç në një takim me kryeministrin sllovak Donald Fico theksoi edhe njëherë mesazhin se Serbia kurrë s’do ta njohë Kosovën.

Këto fjalë të thëna në një takim në Bratislavë, kryeqytetin e një shteti me popullsi dërrmuese sllave, ku dhe mesazhi ishte i mirëpritur, përmbajnë në vetvete jo pak nuanca nacionalizmi dhe kthim në të shkuarën të Serbisë.

Kryeministri aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i ardhur në pushtet nga një shumicë dërrmuese votash në shtetin e tij, ka kaluar një “trajektore spektakolare” politike.

Ai ka qenë për një kohë të gjatë anëtar dhe më tej me pozicione politike kyçe në partinë e Vojislav Sheshelit, i cili sot ndodhet në Hagë dhe akuzohet për krime kundër njerëzimit.

Në një formë apo në një tjetër, Vuçiç, përmes asaj që ka proklamuar ka qenë bashkëfajtor i propagandës të nacionalizmit serb, i cili solli edhe luftra të përgjakshme në Ballkan.

Vuçiç në vitin 1995 në parlamentin e Serbisë do të theksonte se “nëse NATO-ja vret qoftë edhe një serb, Serbia do të vrasë qindra e mijëra myslimanë”.

Sidoqoftë, kjo është një kohë e largët dhe ndoshta Vuçiç është distancuar disi nga kjo deklaratë kaq e egër dhe antinjerëzore.

Vuçiç në vitin 2010-të do të deklaronte se ka bërë gabim politik që ka qenë në rradhët e SNS-së dhe që nuk ka dënuar krimet e Serbisë në Srebrenicë apo masakra të tjera shtetërore të Serbisë në Kosovë.

Këto ishin vetëm deklarata që Vuçiç i thoshte përpara përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Vuçiç akoma dyshohet se është një nacionalist serb dhe se vetëm sa hiqet si progresist dhe për këtë kanë shkruar një sërë mediash të huaja.

Po ashtu, edhe në Serbi ka dyshime nëse Vuçiç është vërtetë një progresist.

Vetë veprimet e tij politike dhe deklaratat e forta të tilla si “Kosova është e Serbisë” apo “Serbia kurrë s’do ta njohë Kosovën”, janë dëshmi e faktit se Vuçiç nuk është së paku aq progresist sa ç’hiqet.

Vuçiç në vetvete mund të jetë i vetëdijshëm se Kosova ka humbur dhe se shteti tashmë i pavarur e ka një kryeministër shqiptar.

Mundet që nacionalizmi i Vuçiç të jetë i lidhur me faktin se edhe elektorati në Serbi në masë është nacionalist.

Si mundet që një person që e quan veten se përfaqëson Parti Progresiste të bëjë deklarata se “Serbia kurrë s’do ta njohë Kosovën” apo të shprehet me thënien mitike serbe “Kosova është Serbi”, që nuk është aspak realitet?

Vetë deklaratat e Vuçiç lënë hije dyshimi të mëdha se ai mund të jetë progresist.

Shumë serbë mund të dyshojnë se ai është një progresist, por se shumica e shqiptarëve me siguri janë të bindur se Vuçiç nuk mund të jetë aspak progresist. /albeu.com/

Shtuar më 02/04/2015, ora 22:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori