KOMENT/ Të gjithë po zhgënjehen nga "goditja" e Shpejtim Bulliqit
Pëlqej
Nga Ervin Shkulaku

Të gjithë e pritën me padurim raportin e Kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi para Komisionit për Integrime Evropiane të gjeturat e deritanishme nga terreni rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Të gjithë shpresuan se kryetari i këtij komisioni Shpejtim Bulliqi më në fund do të shpaloste faktet për demarkacionin dhe pas miratimit në Kuvend do të nënkuptonte edhe liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian.

E megjithatë pothuajse të gjithë u zhgënjyen nga ky raportim, madje edhe ish-kolegu partiak deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka vlerësuar se kreu i Komisionit për Demarkacion, Shpejtim Bulliqi, nuk ka prezantuar diçka të re para komisionit për Integrime Europiane.

“Sot nuk dëgjova asgjë të re, bash asgjë të re. Mu po ma intereson ju çka doni me bo, edhe me kontroll efektiv që e përmendet. Çka është kontrolli efektiv sipas jush? Nëse ka diçka të fshehur ju zotëri Bulliqi, atëherë nëse s’është për publikun atëherë renditni, komisioni mund t’i dëgjojë edhe me dyer te mbyllura”, tha ai.

Por, edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda ia tha në sy Bulliqit se duhen dokumente dhe bëri thirrje që tv mos ketë vonesa deri në janar ose shkurt, ndërsa deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti theksoi se tashmë është koha që ky Komision të sjellë argumente dhe të marrë fund çështja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas Pajazitit ky komision duhet të insistojë të sjellë fakte e jo të merret me ish-komisionin e kaluar dhe ka nënvizuar se gjatë raportimit nuk ka parë asnjë rezultat.

Këtyre pakënaqësive iu është shtuar edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë e cila me anë të një komunikate shprehu hapur se ndihen të zhgënjyer.

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara është zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane. Pohimet e tij janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974." thuhet në komunikatë.

SHBA e shprehu qartë se vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar.

E me këtë rast i ka bërë thirrje indirekte Haradinajt se tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje.

"Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur." përfundoi komunikata.

Shpejtim Bulliqi është i njohur për publikun pasi ishte deputeti më i zellshëm kundër marrëveshjes së demarkacionit që mbështeste kryetari i tij e kryeministër i asaj kohe Isa Mustafa. Bulliqi ishte edhe një inspirim për opozitën e cila e merrte indirekt si shembull që edhe deputetët e pozitës nuk e mbështesin demarkacionin.

Kurse tani një vonesë e punës së tij mund të jetë problem për koalicionin qeverisës pasi nuk është çudi që për shkak të demarkacionit të shkarkohet kjo qeveri duke marrë konsideratë thirrjet e ministrave nga radhët e PDK-së që demarkacioni duhet të miratohet.

Tashmë, Kryeministri aktual Ramush Haradinaj nuk mund të fshihet më pas fyerjeve ndaj gazetarëve për demarkacionin pasi edhe SHBA deklaroi shkurt e shqip se marrëveshja aktuale është e saktë dhe deri në këto momente pohimet e Komisionit Shtetëror janë çorientuese.

Nga ana tjetër zyrtarët e BE-së kanë bërë thirrje vazhdimisht që të miratohet demarkacioni pas vonesa a tij mund ta dëmtojë integrimin e Kosovës në BE./albeu.com/
Shtuar më 15/11/2017, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori