KOMENT/ Sot, Haradinaj hodhi poshtë mitin e UÇK-së
Nga Ervin Shkulaku/Kosovë

Pothuajse të gjitha faqet, patriotike në thonjëza, nëpër rrjetet sociale krenohen duke shpërndarë fotografi të panumërta të Ramush Haradinajt si një udhëheqës e komandant gjatë luftës në Kosovë.

Ai njihet si një nga ikonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në momentin e arrestimit në Francë nga një urdhër-arrest i Serbisë i ngriti edhe njëherë në këmbë shqiptarët për ta mbrojtur.

Madje edhe kundërshtari i tij, Kadri Veseli në prezantim si kandidat për kryeministër edhe të PDK-së e ka quajtur “Bir të shqiponjës”.

Por, “Biri i Shqiponjës” tashmë nuk është nën petkun e UÇK-së që dikur luftoi për bashkimin e shqiptarëve por është nën kostumin me kollare në postin e kryeministrit të Kosovës. E ky petk po duket i ëmbël për Haradinajn duke hedhur kështu një mit të UÇK-së.

Haradinaj në interpelancën e sotme në Kuvendin e Kosovës deklaroi edhe njëherë se nuk do ta shkarkojë ministrin e Listës Serbe Nenad Rikallo, pasi këtij të fundit i kanë dalë dëshmitarë për tortura gjatë luftës.

Janë 20 dëshmitarë të gjallë shqiptarë që thonë se Rikallo është i përfshirë në tortura ndaj shqiptarëve gjatë luftës i tha Albin Kurti Haradinajt duke i kërkuar shkarkimin e tij.

Kurse njëri nga komandantët e UÇK-së, Rexhep Selimi u tregua pozitiv duke treguar gjëndjen shpirtërore. Selimi u shpreh se kishte një parandjenjë se Haradinaj do ta shkarkonte Nenad Rikallon.

Si shumica e parandjenjave që nuk dalin edhe ajo e Selimit fatkeqësisht nuk doli. Haradinaj nuk e shkarkoi Rikallon me arsyetimin se është i pastër si kristali pasi ka pyetur institucionet e sigurisë për pastërtinë e tij dhe përgjigjia që kishte marrë ishte:” Rikallon e ke të pastër”.

Madje Haradinaj ka akuzuar banorët dëshmitarë se kanë uzurpuar banesat e Nenad Rikallos.

Por, mbrojtja e Haradinajt natyrisht është për pushtet. Ai e di fare mirë rolin e votave të Listës Serbe në qeveri e për këtë ua dha drejtimin edhe të Ministrisë së Buqësisë.

Pra, sot Haradinaj e rrëzoi mitin e UÇK-së dhe preferoi të veprojë si Hashim Thaçi e shumë të tjerë.

Në fakt Kryeministri i Kosovës e ka alibi të mirë situatën se ka pyetur institucionet e sigurisë por nuk ka si ta harrojë ish-ministrin Aleksandër Jablanoviq të qeverisë së Isa Mustafës. Në atë kohë vetëm një fjalë ofenduese mjaftoi që Haradinaj ta çonte Dukagjinin më këmbë në protesta duke i bërë presion Mustafës ta shkarkonte Jablanoviqin e që në fund ia arriti qëllimit. Por nga ana tjetër duke pasur paraysh brishtësinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk pritet ndonjë hakmarrje e Isa Mustafës.

E Haradinaj duke e mbrojtur ministrin të Listës Serbe atëherë nuk ka si të veprojë ndryshe edhe djali i Ukshin Hotit i cili foli për halle e drejtësi por që ia bëri bajatë Avdullah Hoti i LDK-së duke i thënë se je i ri, që sipas meje nënkupton: do mësohesh që nuk zgjidhen këto probleme prandaj shiko përfito ndonjë gjë personalisht.

Nuk ka si të dalë kundër edhe NISMA për Kosovën me deputetin Milaim Zeka i cili ka hallin e tij dhe pret të ofendojë diku dhe nuk ka si të dalë kundër PDK-ja e cila është mësuar me këto situata.

E vërtetë është se Rikallo është i pafajshëm e mund të shpallet fajtor vetëm nga organet kompetente dhe e vërtetë është se Haradinaj nuk është gjykatës që ta dënojë ministrin por ai është kryeministër e mund ta shkarkonte ose të paktën ta pezullonte deri në një përfundim hetimi nëse do të ketë ndaj ministrit Nenad Rikallo./albeu.com/
Shtuar më 03/10/2017, ora 18:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori