KOMENT/ Shqiptarët e Shqipërisë të mos mërziten për Albin Kurtin
Pëlqej
Nga Ervin Shkulaku/Kosovë

Zënkat e brendshme që kanë filluar që në tetor të vitit të kaluar dhe që kanë dalë disa ditë publikisht në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë ndikuar vetëm te aktivistët e kësaj partie por edhe te shumë shqiptarë në Maqedoni dhe Shqipëri. Madje shumë analistë nga Shqipëria i bëjnë elozhe Albin Kurtit si një lider që e nxjerr Kosovën nga kriza politike dhe e shpëton në raport me Serbinë. Ndoshta kur shkruajnë pvr të u duket vetja se po bëjnë dicka për atdheun dhe patriotizmin duke mbushur kështu ndjenjën e mungesës së patriotizmit.

Natyrisht nëse një zënkë e tillë brendapartiake do të ndodhte në një parti tjetër nuk do të kishte jehonë pasi Vetëvendosje ka arritur të krijojë idenë te shqiptarët jashtë Kosovës që është e vetmja parti që lufton për bashkim kombëtar apo nuk e shet territorin.

Por nëse jeton në Kosovë e shikon që gjërat nuk janë të thjeshta sic duken në publik. Patjetër që kjo parti ndryshe nga partitë e mëdha e ka në program bashkimin kombëtar por a do ta ketë këtë pikë në program nëse vjen në pushtet?

Sipas situatës kjo pikë nuk plotësohet dhe për këtë e dinë më së miri të gjithë udhëheqësit e Kosovës përfshirë edhe Albin Kurtin.

Politika në Kosovë është në harmoni në plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe në këto kushte duhet të veprojë sipas politikës së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E për ndikimin e tyre, shqiptarët e Shqipërisë e dinë mjaft mirë pasi thjesht mund të kujtojnë se si kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli nga cadra dhe bëri marrëveshje me kundërshtarin politik Edi Rama.

Gjithashtu viti 2017 do të mbahet mend për 2 referendume të dështuara ai i kurdëve të Irakut dhe popullatës katalonje në Spanjë dhe për këtë arsye bie ideja që nëse kërkojmë referendum na mbështesin ndërkombëtarët.

Por edhe ndërkombëtarët nuk mund t'i fajësojmë pse nuk na mbështesin në të gjitha projektet e shqiptarisë pasi politika e jashtme diplomatike nuk është e lehtë. Sidomos që Ballkanin vazhdimisht e quajnë fuci baruti dhe kjo u duk më së miri para disa muajsh kur Serbia dërgoi trenin që të hynte pa leje në Kosovë. Cdo të ndodhte nëse ky tren do të hynte pa leje? E cuditërisht atë natë të gjithë heshtën deri sa si gjithmonë e mori në dorë situatën Presidenti Hashim Thaci i cili urdhëroi ndalimin e tij në rast hyrje. Fatmirësisht treni u ndal nga Vucic duke shmangur kështu një tragjedi të mundshme.

Prandaj, i jap të drejtë Dardan Molliqajt që Albin Kurti le të jetë kryetar i Vetëvendosjes sa të dëshirojë por tashmë ka një realitet të ri dhe disa gjëra duhet të ndryshojnë pasi kemi një parti Lëvizja Vetëvendosje dhe duhet të sillet si e tillë.

E natyrisht duke pare lojën politike të Shpend Ahmetit që sipas një zyrtari të Lidhjes Demokratike për të formuar numrat në kuvendin komunal ishte në koalicion me Listën Serbe kuptojmë që edhe Albin Kurti nëse vjen në pushtet mund të veprojë njësoj si partitë e tjera të mëdha për të siguruar numrat për qeverisje. Prandaj shqiptarët jashtë Kosovës të mos e shohin sikur ka një parti shqiptare që po lufton me parti jo-shqiptare.

Ndërkaq edhe në arrestimin e fundit të Albin Kurtit u trishtuan shumë shqiptarë të Shqipërisë por ky i fundit thjesht nëse do të ishte paraqitur në seancën gjyqësore nuk do të ishte sot në qelinë e paraburgimit.

Madje edhe tashmë duke qenë në burg Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bën thirrje që të formulohet një amnisti për deputetët që janë të burgosur për veprime politike por cuditërisht asnjë parti nuk po e merr një iniciativë të tillë.

Ndërsa në lidhje me kundërshtimet politike të Vetëvendosjes natyrisht janë të drejta por ato marrëveshje perseri përfundojnë. Madje nëse kalon demarkacioni mos u habisni sic u habit Ramush Haradinaj që nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe e dërgoi në Kuvendin e Kosovës. Tashmë nëse kjo marrëveshje kalon Haradinaj do të shfajësohet që e miratoi kuvendi e jo ai.

Si përfundim të gjithë udhëheqësist e Kosovës janë shqiptarë dhe Albini le të jetë kryetar por t'i marrë parasysh edhe kritikat e brendshme. E shqiptarët jashtë Kosovës të mos shqetësohen pasi edhe sikur të largohet Albini që personalisht mendoj të mos ndodhë, do të vijë në krye një ``Albin`` tjetër që do të vazhdojë luftën politike për zhvillimin e Kosovës./albeu.com/
Shtuar më 15/12/2017, ora 09:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori