KOMENT/ Homoseksualët dhe kush jemi ne që i gjykojmë
Nga Samson Pjetraj*
Njeriu përveç adoleshencës dhe kohës së saj, mund të shfaqë edhe më vonë shenja të ndryshme raportesh.

Freud, kurrë nuk e ka pranuar që një person mund të lindë homoseksual. Ju kujtoj që strukturat sociale punojnë në bazë të atyre që kanë para – nëse kanë homoseksualë punojnë duke i përputhur nevojat e tyre dhe anasjelltas.

Sa i përket kësaj, në qendrat tona edukative, vërejmë një dallim të madh mes një fëmije që ka dy prindërit dhe një tjetri që ka ndoshta vetëm nënën ose babanë. Për të thënë që rritja e fëmijës varet edhe nga procesi social-kulturor dhe në aspektin afektiv.

Sociologu, Gianni Lo Grande, duke bërë një studim mbi këtë temë, thotë: 78,4 për qind e homoseksualëve lindin nga fakti i mungesës së dashurisë së njërit nga prindërit, prandaj ky boshllëk i “dashurisë” kërkohet të mbushet në ata të të njëjtës gjini.

Disa thonë që në vendet tona është e thellë kriza ekonomike, ndoshta është e vërtetë, por unë them se kriza më e fortë është ajo prindërore, prandaj mungesa e nënës ose e babait është deri në atë pikë, sa mund të quaj se jemi bërë një shoqëri “pa prindër”, kjo ndërhyn thellësisht në proceset e identifikimit subjektiv.

Pse Kisha Katolike i thotë “jo” martesës homoseksuale?

Papa Françesku, para disa muajsh doli me një deklaratë në të cilën tha: “Kush jam unë për të gjykuar homoseksualët”? Kjo fjali duhet lexuar me shumë kujdes, sepse me këtë fjali Papa bën një hap shume të madh drejt homoseksualëve, por kjo nuk do të thotë që Papa pranon martesën e tyre.

Papa bën një hap të madh drejt tyre duke thënë në mënyrë indirekte që këta duhet pranuar si fëmijë të Zotit, dhe duhet bërë të pamundurën që të kuptojnë atë që Zoti do nga ata edhe në këtë aspekt dhe Kisha duhet ofruar Fjalën e Zotit dhe propozuar sakramentet (jo të ndahen sakramente) për ta zbuluar atë që Ai do nga ata.

Atëherë, nëse deri në vitet 70-ta homoseksualët i quanin të sëmurë edhe nga vetë shkenca dhe nëse tani shkenca nuk di ku t’u gjejë vend atyre, Kisha thotë që homoseksualët duhet ndihmuar dhe pranuar si bij të Zotit.

Pothuajse e gjithë shkenca është e një mendimi si Bibla kur bëhet fjalë për këtë, e kam parasysh psikologjinë, biologjinë,… ku qenien njerëzore e quajnë mashkull ose femër dhe nuk ka një qenie njerëzore asnjanëse, ashtu si identifikon edhe Bibla. Do të thotë që mashkulli ka në vete dimensione femërore dhe anasjelltas që me bashkimin interpersonal me gruan bëhen “një mish i vetëm”, zbulohet mashkull dhe person njerëzor.

Bibla nënvizon që homoseksualiteti është pasojë e mëkatit, prandaj, duke u larguar nga Zoti njeriu nuk mund të njohë Zotin në jetën e tij. Krijuesi që në fillim krijoi mashkull e femër”. Edhe Bibla, prandaj, një mashkull dhe një femër pikërisht që njeri përmbush zbrazëtirat e tjetrit. Identiteti errësohet kur mëkati na kaplon.

Kisha Katolike, si nënë që lind fëmijë në besim, e ka një mision (kështu që si fëmijë të saj edhe ne të krishterët e kemi këtë mision) edukues që shpall në një bashkim të plotë me Zotin dhe me vëllezërit.

Homoseksualiteti, si pasojë e mëkatit, mos e harroni këtë, do të gjejë në pedagogjinë sakramente mjetin e përshtatshëm për t’u rritur në një mënyrë të ekuilibruar.

Deri kur Kisha e mendon kështu, edhe unë do të mendoj kështu, unë mendoj si mendon Kisha.

Disa ditë më parë, nga kureshtja që kisha mbi këtë temë, fillova dhe lexova Kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe hasa në këtë artikull, ku pak a shumë që të dyja e thonin të njëjtën gjë: “Të gjithë kemi të drejtat e barabarta para ligjit”. Të lexosh kështu do të thotë që edhe homoseksualët duhet të martohen, e kështu duhet një ligj edhe për këta, jo. Nëse nuk pranohet ky ligj nuk shkatërrohet principi i njëjtësisë: këtë në kuptimin substancial, sepse kjo thënie e këtyre kushtetutave imponon të trajtohen në mënyra të ndryshme situata të ndryshme. Dhe gratë dhe burrat janë mes tyre të përmbushur (njeri e ploteston tjetrin), nuk janë saktësisht të njëjtë.

Nuk është një e drejtë themelore e martese me të njëjtën gjini: një e drejtë themelore e njeriut është ashtu është për njeriun ashtu si është. E drejta juridike duhet të njohë të drejta, por nuk mund të krijojë të drejta të njeriut që nuk ekzistojnë.

Është një princip paqësor i pranuar që e drejta kryesore e një personi mbaron kur nuk ndërthuret me të drejtat e tjerëve.
Nëse do të pranojmë ligjin mbi homoseksualët na kaplojnë disa pasoja për shembull në pasusin e vdekjes, ose të shtëpive njësoj si familjet tjera që gjymtyrët e saj janë një grua dhe një burrë, dhe hapet dera e adoptimit të fëmijëve.
Judith Stacey, nga New York University, sa i përket kësaj teme, jep të dhëna marramendëse kundër këtij veprimi, sepse synon të shkatërrohet familja në përgjithësi dhe kështu shoqëria.

Unë e di shumë mirë, nga eksperienca si edukatore që kam në qendra rinore dhe e shikoj çdo ditë këtë, kur në jetën e një fëmije nëna ose babai nuk janë koherentë në jetën e tyre, në jetën e fëmijës krijohet një ferr i vërtetë, një çekuilibrim shoqëror, shkollor, shpirtëror.

Atëherë, si mund të pranojmë që të krijohen këto çekuilibrime? E nëse e adoptojnë një fëmijë këta homoseksualë, si mund të luajmë ne me jetën e fëmijës kur nuk e dimë cilët janë prindërit e vërtetë?

Një gjë është martesa, një gjë tjetër është bashkëjetesa. Prandaj një ligj që njeh martesën do të ishte kundër vetë natyrës njerëzore, kundër librave të shenjtë, kundër kushtetutës dhe kundër kulturës sonë. Sa i përket bashkëjetesës, edhe këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për këtë, për shume arsye, sepse këtu dashuria është paksa e kufizuar: një gjë është dashuria mes miqve dhe një gjë tjetër mes një gruaje dhe një burri.

E para nuk ka hapje ndaj jetës, kurse e dyta po, atëherë çfarë dashurie është ajo ku nuk është për lindjen e jetës së tjerëve, që nuk transmeton jetë? Është me të vërtetë dashuri? Dashuria e vërtetë është ajo e sakrificës dhe e dhuratës jo e shndërrimit të dhuratave: ti më jep, unë ta jap (do ut des).

*Prift me origjinë nga Gjakova, shërben në Itali
**Titulli është i redaksisë
Titulli i autorit: “Kush jam unë për të gjykuar homoseksualët”?
Shtuar më 10/10/2017, ora 14:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori