Heroi Gjergj, Shën Tereza dhe "shejtani" Hashim
Pëlqej
Përveç ndonjë deputeti Don Kishot, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duket të jetë nga të pakët drejtues të lart shtetëror që kanë probleme të theksuara me njohjen e realitetit.

Ose të paktën sillet si i tillë sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet deklarata përçarëse e bërë sot me rastin e shugurimit të Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Përveç se heq dorë nga laiciteti duke ndërhyrë në një debat koti fetar pasi është president i një repulike laike, Hashim Thaçi i hedh benzinë zjarrit mes shqiptarësh duke shtyrë debatin e sqaruar tashmë në lidhje me pretendimin e mbulimit të bustit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

"Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar, por edhe një rrëfim i historisë tonë. Jemi krenarë që nga populli ynë dolën dy figura të mëdha, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza.

Nuk ka bez apo pëlhurë që mbulon madhështinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishterimit"., - shpreh ai gjatë fjalës së rastit.

Përveç se është një deklaratë tepër e rrezikshme në lidhje me harmoninë e shenjtë ndërfetare që kanë shqiptarët, Hashim Thaçi spekulon plotësisht me këtë deklaratë, pasi të gjithë në Shqipëri dhe Kosovë janë sqaruar tashmë plotësisht se çfarë ndodhi me "mbulimin" e bustit të Skënderbeut.

Sot kanë kaluar pesë ditë nga dita kur shpërtheu debati dhe institucionet fetare, ato shtetërore si edhe shoqëria civile kanë dhënë shpjegimet e tyre duke e shuar debatin në fjalë në shërbim të së vërtetës, por edhe vëllazërisë mes shqiptarëve.

E bërë në një kontekst të tillë siç është shugurimi i një kishe deklarata e Thaçit bëhet edhe më e rrezikshme për kombin shqiptar. Thaçi mendon se kështu i hyn në sy katolikëve duke harruar se askush prej tyre, përfshi edhe klerikët të cilët kanë dhënë mesazhe konstruktive, nuk janë të interesuar për një debat të tillë.

Dhe duke qenë se jemi në një kontekst fetar, nëse Shën Tereza punoi në shërbim të njerëzimit dhe Skënderbeu për bashkimin e shqiptarëve, është punë e djallit ajo që kërkon ndarjen mes njerëzve.

Në rastin konkret, Hashim Thaçi po e bën më së miri një rol të tillë. /albeu.com/

Shtuar më 05/09/2017, ora 14:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori