KOMENT/ Hashim "nacionalisti" harron Ballistin në takim me deputetët kroatë
Nga Ervin Shkulaku

Fjalimi i djeshëm i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi gjatë shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë i habiti të gjithë pasi ky i fundit u përfshi në debatin artificial për mbulimin e statujës së Skëndërbeut në Tiranë.

"Nuk ka bez apo pëlhurë që mbulon madhështinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishterimit" u shpreh Thaçi ditën e kaluar.

E megjithatë ai sot ka harruar të bisedojë me një delegacion deputetësh kroatë për Ismail Morinën ose Ballistin siç njihet ndryshe.

Të paktën kështu bën të ditur zyra e presidencës e cila në komunikatën për media njofton: " Presidenti Thaçi ka falënderuar deputetët kroat për vizitën e tyre në Kosovë, duke falënderuar ata për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi.'E çmoj miqësinë historike me Kroacinë. Jemi mirënjohës për përkrahjen që Kroacia i jep Kosovës në çdo forum', ka theksuar Presidenti."

Në fund, mësohet se presidenti Thaçi ka theksuar se do të angazhohet për avancim të përfaqësimit të komunitetit kroat në institucionet e Kosovës.

Nga ana tjetër tashmë ka ngelur vetëm në dorën e Ministrit të Drejtësisë në Kroaci, Drago Boshnjak që të vendosë nëse do ta ekstradojnë Ballistin në Serbi, pasi edhe Gjykata Supreme e Kroacisë ka vendosur që Ismail Morina të ekstradohet në Serbi për t’u gjykuar për ngritjen e dronit para tre viteve në ndeshjen mes Serbisë dhe të Shqipërisë.

Vlen të theksohet se ishin të shumtë politikanët e njerëzit publik që u fotografuan me Ballistin pas ngjarjes në Beograd por sot shohim një Ballist të vetmuar./albeu.com/
Shtuar më 06/09/2017, ora 15:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori