KOMENT/ Haradinaj kurrë nuk e ka mbështetur Gjykatën Speciale
Nga Ervin Shkulaku/Kosovë

Në Kosovë mbrëmja e kaluar do të mbahet mend si mbrëmja më e gjatë e dytë e vitit 2017. Madje të gjithë u emocionuan duke të përkujtuar emocionet e natës së 14 janarit të këtij viti kur Serbia dërgoi një tren që të hynte pa leje në Kosovë.

E gjitha filloi me disa nënshkrime të mijëra qytetarëve për të shfuqizuar ligjin e Gjykatës Speciale por kur kjo u kuptua se ishte serioze atëherë të gjithë ndërkombëtarët u vërsulën në kuvend për ta ndalur shfuqizimin e Gjykatës Speciale. E një ditë pas mbylljes së Gjykatës së Hagës po rrezikonte të bllokohej edhe Gjykata Speciale.

Ne shqiptarët jemi mësuar me politikanët që të mos u besojmë fjalëve të politikanëve kur janë në opozitë dhe kështu ndodhi edhe me Ramush Haradinajn pasi të gjithë u habitën kur mësuan që Haradinaj do të ndalë funksionimin e Speciales.

Por, nëse kthehemi pas në kohë në momentin që u miratua Gjykata Speciale, Ramush Haradinaj e ka kundërshtuar këtë miratim. Pra, sot Haradinaj po plotëson si kryeministër zotësinë e tij për të shfuqizuar Specialen.

Prandaj, kjo habi e qytetarëve të Kosovës të kujton habinë e qytetarëve amerikanë kur Donald Trump filloi t'i mbante premtimet që kishte dhënë gjatë fushatës pasi të gjithë mendonin se premtonte vetëm për të dhënë show.

Ndërsa, sa për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk mund të themi shumë pasi nuk e kanë ata sot postin kryeministrit dhe nuk e kanë pasur këtë post edhe në momentin që u miratua ky projektligj. Gjithashtu PDK nuk guxon të mos i bindet Haradinajt pasi kjo parti e di shumë mirë që në zgjedhje të parakohshme përfundon në opozitë dhe vështirë se rikthehet përsëri.

Por për tu habitur edhe vendosshmëria e Haradinajt për t'i shkuar deri në fund këtij procesi pavarësisht kërcënimeve të hapura dhe të rrezikshme të ambasadorëve të huaj. Si një politikan me eksperience ai e di fare mirë fuqinë e perëndimit dhe sidomos në Kosovës me një kundërshtar si Serbia. Prandaj, Haradinaj ka dicka që po e fuqizon për t'i shkuar kësaj pune deri në fund.

Tashmë nëse ky projektligj përfundon në Kuvend atëherë është në mëshirë të Lëvizjes Vetëvendosje nëse do të dalë kundër ndërkombëtarëve apo do të shfuqizojë Gjykatën Speciale pasi Haradinaj në të kundërtën do ta ketë të vështirë t'i sigurojë votat.

Gjithashtu në një situatë të ngjashme të mundshme Vetëvendosje do të tregojë veten se sa mund t'i kundërshtojë ndërkombëtarët pasi vazhdimisht ka pretenduar që shqiptarët nuk duhen të jenë plotësisht të nënshtruar nga ndërkombëtarët por duke kërkuar të drejtat e tyre atëherë të mbështesin edhe ata, psh, një referendum i mundshëm për bashkim me Shqipërinë.

Vetëvendosje mbrëmë para mediave u shpreh se është kundër Gjykatës Speciale ndërsa nuk shkoi në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të votuar kundër saj. Natyrisht nga ana politike vepruan drejt pasi fundja Albin Kurti është në qelinë e paraburgimit ndërsa nga ana patriotike do e vlerësojnë historianët.

Si përfundim vlen të theksohet se Kosova sot u zgjua me një situatë të brishtë politike dhe me shumë mundësi afër zgjedhjeve të parakohshme./albeu.com/
Shtuar më 23/12/2017, ora 10:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori