KOMENT / A duhet të shkojë Hashim Thaçi në Beograd?
nga Dionis Xhafa

Ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanoviç ka thënë se nëse Hashim Thaçi shkel në Beograd do të arrestohet nga autoritetet serbe.

Kjo, për shkak se ish-kryeministri i Kosovës, si ish-lideri politik i UÇK-së akuzohet për “veprimtari terroriste”. Kjo deklaratë ngjan të jetë një retorike fashiste dhe të ngjan me gjuhën që përdordin dikur ministrat e Beogradit, përfshirë këtu edhe ministrat e Millosheviçit.

Kjo deklaratë të kujton ministrin e Jashtëm të Slobodan Millosheviçit, i cili më janar të vitit 1999 gjatë një vizite në Portugali, nga Lisbona do të sulmonte UÇK-në dhe Shqipërinë se është “kthyer në një vend bazë të terrorizmit ndërkombëtar”, se kanë lejuar që “rreziku i terrorizmit me pikënisje në territorin shqiptar të kërcënojë Jugosllavinë”.

Siç shkruan Shaban Sinani gjatë kujtimeve të tij gjatë kohës së raportimit të luftës së Kosovës, ish-ministri i Jashtëm famëkeq i Millosheviçit do të thoshte në Lisbonë se "Serbia nuk do ta lejojë terrorizmin” dhe se “do të marrë të gjitha masat që të ruajë integritetin territorial të vetin”.

Fjalori i ish-ministri serb kishte kohë që nuk ishte dëgjuar në Evropë, që kur kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Serbia, pas më shumë se gjysmë shekulli e riktheu në skenë një fjalor të tillë kaq të ashpër.

Dhe, më e rëndë kjo deklaratë bëhet kur fjalët thuheshin nga një ministër, qeveria e të cilit kishte vrarë e kishte bërë kërdinë mbi popullsinë civile në Kosovë, fytyra e krimeve ç’njerëzore anembanë Kosovës dhe e terrorizmit të institucionalizuar. Këta dy raste flasin për përdorim të një gjuhe fashisoide, e asaj politike të së shkuarës që Beogradi e ka të rrënjosur në ideologji.

Por, le të kthehemi tek deklarata e Stefanoviçit dhe për të thënë dy fjalë për këtë deklaratë.

Deklarata e Stefanoviçit, mund të shihet edhe si një dobësi e Serbisë, e cila po përballet me një realitet, të cilin nuk e dëshiron, siç është Kosova e pavarur.

Së pari, pa pikë dyshimi ajo është deklaratë e ashpër.

Së dyti, në fjalët e tij thuhet se Thaçi është dënuar nga një gjykatë e Serbisë. Por, se po të marrësh parasysh se ç’gjykata ka Serbia dhe aq më keq ka patur në kohën e luftës, kur UÇK-në e lidhte pashmangshmërisht me terrorizmin, që vetëm Beogradi e shihte dhe e bëntë një lidhje të tillë, vendimi për Thaçin nga gjykata serbe është për tu vënë shumë në dyshim.

Së treti, nëse deklarata e Stefanoviçit qëndron në fuqi dhe Thaçi nuk merr asnjë garanci nga ndërkombëtarët se është i mbrojtur në Beograd, të shkuarit në kryeqytetin e Serbisë është e rrezikshme. /albeu.com/

Shtuar më 16/04/2015, ora 19:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori