Komandanti i KFOR-it pa rrugëdalje!
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews gjatë një vizite në qytetin e Ferizajt, tha të martën situata e tanishme në veri të vendit duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore. Drews tha se lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët vazhdon të jetë ende problem.

Komandanti i KFOR-it i bëri këto komente një ditë pasi strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, nuk e lejuan të vazhdojë për në pikën kufitare Kosovë-Serbi, në Bërnjak, me arsyetimin se shoqërohej edhe nga zëvendësshefi i EULEX-it. Të ashtuquajturit përfaqësues të katër komunave me shumicë serbe, kanë thënë se kanë mundësuar lirinë e lëvizjes për KFOR-in, por jo edhe për EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Duke folur për situatën në veriun e vendit, Drews tha në Ferizaj se nëse nuk arrihet deri te një zgjidhje paqësore, atëherë KFOR-i është i detyruar të gjejë një zgjidhje tjetër duke mos saktësuar datën e heqjes së barrikadave. “Ky problem duhet të zgjidhet me dialog. Nëse me dialog nuk kemi zgjidhje adekuate, atëherë është detyrë e KFOR-it që të gjejë një zgjidhje tjetër me mjetet e veta”, tha ai, raporton RTK.

Serbët kanë vendosur barrikada në pjesën veriore të Kosovës si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinë dhe në Bërnjak, të cilat prej 12 vitesh përdoren nga strukturat paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, për kontrabandë dhe krim të organizuar.
Shtuar më 02/11/2011, ora 09:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori