Manchester City nis betejën me UEFA-n në CAS

Manchester City dhe UEFA do të nisin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv një betejë që mund të formësojë të ardhmen e futbollit evropian. Kampionët e Premier League kanë apeluar pezullimin dyvjeçar nga garat evropiane, pasi organet e UEFA-s morën masën ekstreme për shkelje serioze të rregullave të Fair Play-t Financiar.

Nëse konfirmohet vendimi i UEFA-s, City do të duhet të përballet me një betejë tjetër për të shmangur largimin e disa prej emrave kryesorë të ekipit. Sidoqoftë, nëse City do të jetë i suksesshëm në rrëzimin e pezullimit në CAS, autoriteti i UEFA-s do të dëmtohej në mënyrë të pashembullt e sigurisht do të ngriheshin pikëpyetje mbi Fair Play-n Financiar.

Të dyja palët kanë nxjerrë armët e tyre të mëdha për një betejë që pritet të jetë intriguese gjatë tri ditëve. UEFA thotë se ka angazhuar përfaqësuesit e saj më të fortë për këtë çështje. Nga ana tjetër, Citizens mbështeten te një “ekip ëndrrash”, i cili përfshin David Pannick, QC, i cili dy herë sfidoi me sukses qasjen e qeverisë për procesin e Brexit.

Drejtuesit e Manchester City-t kanë këmbëngulur në pafajësinë e tyre. Pas shpalljes së dënimit, që përfshin edhe një gjobë prej 26 milionë stërlinash, shefi ekzekutiv, Ferran Soriano tha se ishte :”i zhgënjyer, por jo i befasuar nga vendimi”. Ai shtoi se akuzat ishin “false”, duke thënë: “Ne do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet për ta vërtetuar atë”.

Siç u zbulohet nga “Sportsmail”, 10 rivalët kryesorë të City-t, me përjashtim të Sheffield United, i shkruan CAS-t për të ndalur çdo përpjekje të Citizens për të pezulluar vendimin, por asnjë një masë e tillë nuk u mor nga CAS.

City u zbulua se kishte të ardhura fiktive nga sponsorizimet në llogaritë e paraqitura midis 2012 dhe 2016. UEFA filloi hetimin e tyre pas publikimit të dokumenteve nga Der Spiegel në Gjermani.

Vendimi i CAS-it pritet të merret para se të rifillojë futbolli i Champions League. Të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë një reduktim i pezullimit.


Shtuar 8.06.2020 06:30