Koalicioni PAN - LAA, i mundshëm
Njohësit e politikës në Kosovë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e arritjes se një koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa.

Ndonëse të dyja palët tani për tani e kundërshtojnë një gjë të tillë, analistët politikë, Behxhet Shala dhe Imer Mushkolaj, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk duhet zënë besë qëndrimeve kundërshtuese të palëve pasi, sipas tyre, këto subjekte politike edhe më herët kanë vendosur vija të kuqe për t’i ngritur pazaret, pastaj i kanë shlyer vijat e kuqe.

“Asnjë koalicion nuk është i pamundur në të ardhmen, sepse Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe këta të tjerët që po kundërshtojnë çdo bashkëpunim me koalicionin PAN, e dinë se në fund të fundit, po të duan ndërkombëtarët, brenda natës e bëjnë”, është shprehur Behxhet Shala, duke shtuar se kundërshtimet tani po bëhen për ta ngritur pazarin.

“Tani për tani po bëhet një përpjekje për ta ngritur pazarin sesa që është një synim i vendosur për të mos hyrë në qeveri”, ka thënë Shala.

Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka thënë se nuk duhet zënë besë shumë subjekteve politike që betohen se nuk do të bëjnë koalicion.

“Ramush Haradinaj edhe mund ta sigurojë ndonjë votë më shumë. Në Kosovë njihet fenomeni i kontrabandimit, ‘peshkimit’ të deputetëve për përfitime materiale.

Pra, deklaratave të subjekteve politike, se nuk do t’ia bëjnë assesi votat Haradinajt, nuk është për t’u besuar, ngaqë ka nga to që në të kaluarën kanë dëshmuar se nuk e mbajnë fjalën”, ka thënë Mushkolaj.
Shtuar më 05/07/2017, ora 08:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori