Kjo është koha e pritjes në pikat kufitare të Kosovës
Pikat kufitare të Republikës së Kosovës po vazhdojnë të jenë të ngarkuara, sidomos Merdari, pikëkalimi kufitar me Serbinë, por gjendje më mirë nuk është as në pikëkalimin me Maqedoninë, atë të Hanit të Elezit.

Sipas aplikacionit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që jep të dhëna për pritjet nëpër kufij, del se pritjet më të gjata janë në kufirin e Merdarit, që, në bazë të të dhënave të para rreth gjysmë ore, shkojnë deri në 1 orë e gjysmë për të hyrë në territorin e Kosovës, ndërsa pritjet për të dalë nga kjo pikë e kalimit kufitar shkojnë deri në 50 minuta.

Në Han të Elezit, sipas aplikacionit të MPB-së, pritjet janë nga 30 deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa deri në 25 minuta për të dalë.

Pritjet te Dheu i Bardhë shkojnë nga 20 deri 30 minuta për të hyrë në Kosovë ndërsa për të dalë pritjet janë më të shkurtra, deri në 10 minuta.

Në Mutivodë, MPB thotë se pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 30 minuta, kurse ato për të hyrë në Kosovë deri në 15 minuta.

Edhe në Vërmicë, pikëkalimi kufitar me shtetin shqiptar, i cili vazhdimisht gjatë stinës së verës është i ngarkuar për shkak të pushuesve që zgjedhin bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet, pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 15 minuta, kurse kolona e veturave është paksa më e gjatë për të hyrë në territorin tonë dhe pritjet shkojnë deri në 40 minuta.

Në pikëkalimet tjera, ato në veri të vendit, Jarinje dhe Bërnjak, pritjet shkojnë maksimumi deri në 10 minuta, si për të hyrë, ashtu edhe për të dalë.

Në Kullë pritjet janë simbolike, nga 3 deri 5 minuta, si për të hyrë ashtu edhe për të dalë nga Kosova.

Në Qafë të Morinës, pritjet shkojnë deri në 10 minuta për të hyrë në Kosovë, kurse 3-5 minuta për të dalë.

Qafa e Prushit dhe Glloboqica janë të qeta në këto momente, ndërsa pritjet shkojnë maksimumi në 5 minuta.
Shtuar më 22/07/2018, ora 16:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori