Kishin vota të barabarta në zgjedhje, ja cili asambleist fitoi
Pëlqej
Rëndësia e numrit rendor në listën e kandidatëve për Asamble po del të jetë shumë e rëndësishme në Komunën e Kamenicës.

Dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Shefik Kastrati dhe Blerim Murina, kanë marrë numër të njëjtë të votave në zgjedhjet e 22 tetorit, nga 195 vota secili. Por, pas rezultateve zyrtare, vetëm Shefik Kastrati ka arritur të marrë ulëse në Asamblenë komunale të Kamenicës.

Një vendim i KQZ-së, të cilin e ka siguruar kallxo.com e që është nxjerrë me datën 8 të këtij muaji, thotë që ulësen e asamblistit e fiton kandidati që është i renditur më lartë në listën e certifikuar.

“Nëse kandidatët brenda një subjekti politik kanë numër të barabartë të votave, atëherë mandatin do ta fitojë kandidati me numër rendor më të lartë i renditur, në bazë të listës së certifikuar”, thuhet në pikën 2 të këtij vendimi.

Asamblisti i zgjedhur, Shefik Kastrati, në listën zgjedhore të kandidatëve për asamble komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kishte pasur numrin rendor në listë 4, ndërsa kandidati tjetër, Blerim Murina, që merr numër të njëjtë të votave kishte qenë i renditur si i nënti.

Në balotazhin e 19 nëntorit qytetarët e Kamenicës do të zgjedhin mes Qendron Kastratit të Vetëvendosjes dhe Shaip Surdullit të LDK-së.
Shtuar më 11/11/2017, ora 16:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori