Kina mund ta ndalonte gjenocidin në Kosovë
Pëlqej
Ish-ministri i Jashtëm kanadez, Lloyd Axworthy, ka zbuluar se ishte Kina që mund të luante rol qendror në ndalimin e vrasjeve masive gjatë luftës në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin "Interaktiv" në KTV, njeriu që udhëhoqi diplomacinë kanadeze gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se Kina nuk lejoi ardhjen e paqeruajtësve të OKB-së në Kosovë, në vitin 1997.

“Në kohën derisa ne mendonim se çfarë lloj intervenimi na duhet, kishte një forcë paqeruajtëse të OKB-së në rajon, në kufijtë e Maqedonisë. Ishin aty për t’u kujdesur që të mos lejonin njerëzit të kalonin në Maqedoni e Greqi.

Ishin 3000 trupa paqeruajtëse të OKB-së në rajon që do të mund të hynin në Kosovë brenda 6 orësh. Ajo çfarë ndodhi është se ishin kinezët që refuzuan të zgjerojnë mandatin për këtë trupë paqeruajtëse, pasi që ishin hidhëruar me qeverinë maqedonase, pse ata nuk blinin rrobalarëset e tyre, ose diçka të ngjashme. Pra, kishit fuqitë e mëdha që e abuzuan të drejtën e tyre të vetos, dhe mandati nuk u zgjat.

Do të ishte shumë e lehtë nëse këta trupa do të hynin brenda në Kosovë, apo në kufijtë e saj. Do të kishte shumë më pak vrasje, e më pak konflikt. Kjo ishte në vitin 1997-98. Këta trupa ishin aty për 2-3 vjet dhe kishin një mandat nga Këshilli i Sigurimit, por për të punuar në kufirin e Maqedonisë, edhe pse ky mandat shumë lehtë mund të zgjerohej. Nuk e di nëse mund të ndalonte luftën, por do të kishte më pak pasoja”, ka thënë Axworthy.

Ai ka thënë se Kosova duhet të punojë edhe me Kinën për ta bindur që e meriton një vend në OKB.

Diplomati i karrierës në vitin 1999 i kishte rekomanduar qeverisë së tij në Kanada, që të bëhet pjesë e intervenimit ushtarak kundër Serbisë për të ndaluar vrasjet.

Axworthy ka pohuar se Kanadaja ka qenë ndër vendet e para që ka marrë mijëra refugjatë, dhe këtë e kanë bërë përveç qeverisë edhe individët.


Shtuar më 17/10/2017, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori