“Tradhtarët duhet të neutralizohen me çdo kusht”, VOA: Rrjeti i agjentëve rusë në Ukrainë

Kur automjetet e para të blinduara të ushtrisë pushtuese ruse arritën në zemër të centralit bërthamor të Çernobilit pasditen e 24 shkurtit, ata u ndeshën me një njësi ukrainase të ngarkuar me mbrojtjen e objektit.

Në më pak se dy orë dhe pa shkëmbime zjarri, 169 anëtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës dorëzuan armët. Rusia mori në dorë Çernobilin, një depo me disa tonelata material bërthamor dhe pikë kyçe në korridorin drejt Kievit.

Rënia e Çernobilit, dallohet si një anomali në luftën pesë mujore, si një operacion i suksesshëm në një kohë kur Moska është përballuar me një rezistencë të fortë ukrainase gjatë operacioneve të saj brutale në rajone të ndryshme të këtij vendi.

Tani një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters ka zbuluar se suksesi i Rusisë në Çernobil nuk ishte i rastësishëm, por pjesë e një operacioni të gjatë të Kremlinit për të infiltruar agjentë sekretë në shtetin ukrainas.

Pesë individë me njohuri mbi përgatitjet e Kremlinit thanë se planifikuesit e luftës në rrethin e ngushtë të Presidentit Vladimir Putin besonin se, të ndihmuar nga këta agjentë, Rusisë do t’i duhej vetëm një forcë e vogël ushtarake dhe disa ditë për ta detyruar administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të largohej, të arratisej ose të kapitullonte.

Përmes intervistimit të dhjetëra zyrtarëve në Rusi dhe Ukrainë dhe një rishikimi të dokumenteve të gjykatës ukrainase dhe deklaratave për hetuesit, lidhur me një hetim mbi sjelljen e atyre që punonin në Çernobil, agjencia e lajmeve Reuters ka vërtetuar se ky infiltrim ka depërtuar shumë më thellë nga sa është pranuar publikisht.

Ndër zyrtarët e intervistuar përfshihen edhe njerëz brenda Rusisë të cilët u informuan mbi planet e Moskës si dhe hetues ukrainas të ngarkuar me gjurmimin e spiunëve.

“Përveç armikut të jashtëm, ne për fat të keq kemi një armik të brendshëm dhe ky armik nuk është më pak i rrezikshëm”, tha në një intervistë sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov.

Në kohën e pushtimit, tha zoti Danilov, Rusia kishte agjentë në sektorët e mbrojtjes, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Ukrainë. Ai nuk pranoi të jepte emra, por tha se tradhtarë të tillë duhet të “neutralizohen” me çdo kusht.

Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës po heton nëse Garda Kombëtare ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke i dorëzuar armët e saj armikut, tha një zyrtar lokal për agjencinë e lajmeve Reuters. Byroja Shtetërore e Hetimeve nuk ka komentuar ndërsa Garda Kombëtare mbrojti veprimet e njësisë së saj në central, duke vënë theksin mbi rreziqet e konfliktit në një objekt bërthamor./VOA/