Ki-Moon përshëndet paralajmërimin për dialogun
Pëlqej
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka përshëndetur paralajmërimet e fillimit të shpejtë të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke vlerësuar se ky proces do të hap një fazë të re në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve dhe përforcimin e paqes e stabilitetit në rajon.

Ai ka kërkuar fillim të shpejtë të dialogut, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi të shfrytëzojnë momentin pozitiv të krijuar gjatë disa muajve të fundit, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Në raportin e tij të rregullt tremujor i cili gjatë fundjavës u është shpërndarë ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të KB-së, sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka ofruar mbështetjen e organizatës që ai kryeson për procesin negociator të cilin e udhëheq Bashkimi Evropian, duke theksuar se para palëve megjithatë janë sfida serioze të përcjella me tensionet në rritje në veri të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Ki-moon ka kërkuar mbështetjen e shteteve anëtare të KB-së për të evituar veprime të njëanshme të cilat do të mund të nxisnin emocionet edhe më shumë, por edhe ka tërhequr vërejtjen se zyrtarët e Kosovës dhe mediat se janë duke udhëhequr një fushatë kundër pranisë së UNMIK-ut në veri të Kosovës, me të cilën gjë, sipas tij, sjellin në rrezik personelin e Kombeve të Bashkuara.
Shtuar më 01/11/2010, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori