KFOR, kemi nevojë për liri të pakushtëzuar të lëvizjes
KFOR ka bërë të ditur se korsitë e hapura në Mitrovicë dhe Leposaviq, të cilat çojnë drejt vendkalimit kufitar në Jarinë, nuk janë hapur sa duhet për kalimin e automjeteve të rënda. “Kjo do të thotë se KFOR-i nuk do të mund t’i furnizojë apo bartë trupat në ato pjesë”.

“Kjo është në kundërshtim me njoftimin e përfaqësuesve të katër komunave, të cilët thonë se kanë mundësuar lirinë e lëvizjes së plotë, që nga e mërkura e kaluar. Ne kemi nevojë për liri të pakushtëzuar të lëvizjes për të gjithë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin.

Ndërkohë të hënën paradite, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka provuar që me autokolonën ku kishte edhe pjesëtarë të EULEX-it, të kalojë përmes Zupçit për të shkuar në pikëkalimin kufitar në Bërnjak. Por, ai u kthye drejt pjesës jugore të Mitrovicës, pasi që serbët nuk e kanë lejuar kalimin e zëvendësshefit të EULEX-it, Andy Sparkes.

Serbët kanë vendosur barrikada në pjesën veriore të Kosovës si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinë dhe në Bërnjak, të cilat prej 12 vitesh përdoren nga strukturat paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, për kondrabandë dhe krim të organizuar.

Pas bisedimeve të shumta me përfaqësues të KFOR-it, të ashtuquajturit përfaqësues të katër komunave me shumicë serbe, kanë thënë se kanë mundësuar lirinë e lëvizjes për KFOR-in, por jo edhe për EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Shtuar më 01/11/2011, ora 09:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori